Pëllumb Pipero i ftuar në studio më gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC News foli për situatën e rënduar të infeksionit nga koronavirusi në vend. Sipas Piperos edhe pse kemi raste të shtuara të infeksionit ditët e fundit përsëri situata mbetet pozitive. Ajo çfarë i shqetëson bluzat e bardha, sipas infeksionistit është numri i rasteve të shtuara në spitalin infektiv, pra ata që kanë nevojë për ndihmën mjekësore. Mjeku infeksionist u shpreh se në fillim të epidemisë vendet u përballën me shumë të panjohura për shkak të së cilës u vendosën masa kufizuese të detyruara për të mbajtur nën kontroll këtë virus.

“Shifrat e para të raportuara janë të sforcuara, të mbajtura nën kontroll me forcë. Në rast se në atë fazë do kishim qenë të hapur si sot, do kishim 10-15 herë më shumë”, u shpreh Pipero. Ndërkohë që për numrin e testimeve, Pipero u shpreh se në këtë fazë të dytë, duhet bërë një hetim inteligjent, dhe në kohën e duhur duhet bërë studimi sero-prevalencë ose serologjik, për të parë ekspozimin dhe se mbi bazën e ekspozimit duhen ndërtuar politika për të mbajtur nën kontroll epideminë. Biseda: Pëllumb Pipero: U bë tashmë 3 muaj e gjysmë me raste të infeksioneve në vend. Numri i rasteve pozitive nuk na shqetëson por numri i shtuar i rasteve në spital dhe një pjesë e tyre në gjendje të rëndë na shqetëson, dhe na bën të analizojmë situatën dhe për të mundësuar kufizimin e mëtejshmë dhe mbajtjes nën kontroll të epidemisë në vend. Fakti që numri i rasteve pozitive në spital po pëeson ulje-ngritje do të thotë se jemi në fazën që mund ta quajmë si “ngopje” të rezervuar dhe unë shpresoj fort që me kalimin e ditëve numri duhet të bjerë. Numri i të infektuarve nuk bie vetë, nëse nuk kemi kujdes. Është shumë e rëndësishme distanca dhe maska. Nëse ne ruajmë distancën dhe mbajmë maskën numri do të bjerë.

Jemi pak më shumë se dy javë nga hapja totale, ndërkohë që hapja graduale kishte filluar 2-3 javë më parë. Duhet të kemi në konsideratë që jo të gjithë rastet kanë rënë në kontakt ditën e parë, apo ditën e dytë, kjo ka një vazhdimësi, cdo ditë e re ka 14 ditë mbrapa ndaj theksoj për përdorimin e maskës, duhet doemos maska dhe distanca gjithashtu edhe higjiena. Juli Xhokaxhi: A mund të themi se shifrat e raportuara varen nga numri i testimeve që bëhen, pasi ditët e fundit thuajse numri i tyre është mbi 300, gjë që nuk e kemi patur kur ishim të izoluar, fazë në të cilën kemi besuar se ishte piku i epidemisë?

Pëllumb Pipero: Ka dy momente të rëndësishme, në fillim të kësaj epidemie të gjithë dinim pak ose aspak, bota gjithashtu, ishim të papërgatitur. E vetmja që kishim në dorë kishim distancimin social dhe kësisoj duke u mbyllur tërësisht, shifrat nuk janë shifrat reale të ecurisë së një pandemie në rrugën e vet sikundër mund të jetë një grip stinor. Të gjithë kemi menduar, mbështetur në rrugën e transmetimit, ky është një virus respirator dhe si i tillë ka sezonalitet, transmetohet përmes spërklave, me vazhdimin në valë të gjatë kohe ulet virulenca me kushtin që të mos pësojë ndryshime gjenetike, ky virus nuk i ka respektuar këto ligjësi të një virusi respirator.

Shifrat e para të raportuara janë të sforcuara, të mbajtura nën kontroll me forcë. Në rast se në atë fazë do kishim qenë të hapur si sot, do kishim 10-15 herë më shumë. E zhvendosur në kohë, të hapur tërësisht, për fat keq e shoqëruar edhe me pakujdesi, do të kishte rritje të rasteve. Ndaj them që krahasuar me pjesën e parë të kësaj epidemie ne në këtë fazë jemi më mirë edhe pse kemi raste të shtuara të rasteve. Sa i takon testeve, unë personalisht kam qenë mbështetës i fortë i testimeve për të diagnostikuar, sepse tamponi është test diagnostikues. Testimi duke gjurmuar rastet me klinikë, ka qenë efikas për izolimin e vatrës. Tashmë që fillon faza e dytë, duhet të bëjmë hetim inteligjent. Nuk është filozofi e madhe të konstatosh atë që shfaq klinikë, por çështja është nëse kemi mundësi ta zbulojmë rastin pa shfaqur klinikë. Ky do të thotë hetim inteligjent, të gjesh gjilpërën në kashtë. Besoj që duhet të ketë një hetim për rastet e kontakteve të kontakteve.

Tamponin e ka diktuar situata, ndaj themi që epidemiologët tanë kanë punuar jashtëzakonisht mirë dhe për mua nuk kanë gabuar. Diskutimi për rastet e shumta apo të pakta do vazhdojë. Në kohën e duhur duhet bërë studimi sero-prevalencë, serologjik për të parë ekspozimin. Mbi bazën e ekspozimit duhet të ndërtojmë politika për më tej për të mbajtur nën kontroll epideminë.