Poliedriku u nda nga jeta mëngjesin e 15 qershorit në moshën 71- vjeçare, duke lënë pas dhimbje tek ata që e njohën dhe misterin për dijet e universale e të gjithanshme që zotëronte.Konsolidimin e formimit të tij, përpos literaturës e punës në terren, ai e arriti edhe falë figurave të duhura që zgjodhi si referencë. I tillë ishte edhe Lasgush Poradeci, me të cilin, siç vajza e tij Maria tregon për “Panoramën”, e lidhte një miqësi shumëvjeçare.
“E donte shumë edhe mamaja ime”, rrëfen Maria, duke shtuar se krahas natyrës së çiltër e miqësore të Zeqos, me Nafijen e Poradecit (të cilën shkrimtari e konsideronte si ‘një intelektuale të ndritur’), i lidhte edhe Durrësi, vendlindja e tyre.Pikërisht për këtë miqësi që edhe vetë eruditi e konsideronte si “një pasuri të madhe shpirtërore e mendore”, ai do të gëzohej pa masë, kur Maria, disa vite më parë, do t’i niste një email me shënimet në ditar të Poradecit, lidhur me vizitat që së bashku me bashkëshorten, Lidën, i kishin bërë në Pogradec në vitin 1980. Vlerësimin e madh që Zeqo pati kundrejt Lasgushit (e konsideronte si figurën më të madhe intelektuale e viteve ’30) do ta shprehte duke përgatitur për të dy botime, “Lasgushi i panjohur” dhe librin album “Lasgush Poradeci dhe engjëjt e pikturës”.
Një vlerësim që me sa duket ka qenë reciprok, pasi edhe Moikom Zeqo, siç Maria tregon, do të ishte shkrimtari më i përmendur në ditarin e Lasgushit. Edhe pas vdekjes së poetit, ai dhe bashkëshortja, Lida, ruajtën raporte miqësore me të dyja vajzat e tij, Marian dhe Kostandinën.Zonja Gusho, i ndjeri Moikom Zeqo veçonte në diskurset për letërsinë babain tuaj, Lasgush Poradecin, si një nga figurat më të ditura të viteve ’30, për kontributin në letërsi, por edhe për marrëdhëniet miqësore e familjare që kishit krijuar. Në disa prej takimeve mes tyre edhe ju keni qenë e pranishme. Çfarë kujtoni rreth tyre?
Moikomi ka hyrë si mik i babait tim shumë herët në shtëpinë tonë. Ishte një njeri shumë i dashur dhe të bënte për vete sapo e takoje. Mamaja ime sidomos e donte shumë. Sepse e kishte dhe nga Durrësi. Moikomi ishte gjithmonë i qeshur dhe ia kish fituar zemrën. Ishte një njeri që nuk dinte të krijonte distancë. Ishte gojëmbël dhe nuk mbante inat, si dhe shumë i disponueshëm kur i kërkoje një ndihmë. Mua dhe motrën time na ka ndihmuar shumë kur kemi pasur nevojë, sidomos mua.dosja
Disa vite më parë, ju do t’i dërgonit një email poliedrikut, me shënimet në ditar të Poradecit, sa u përket takimeve me Moikomin dhe bashkëshorten e tij, Lidën. Si i priti Zeqo ato? Është e vërtetë që është një nga shkrimtarët më të përmendur në ditarin e babait tuaj?
Njëherë pata shkruar diçka dhe e botova në gazetë, mbështetur mbi librat me autograf që ai i kishte dhuruar babit tim. Iu bë shumë qejfi. Por më shumë u gëzua kur i thashë se ditët kur ishin në Pogradec me të shoqen për muaj mjalti dhe kishin vizituar babin, ai i kishte shkruar në ditarin e tij. Ndoshta vërtet ashtu është, që në ditarin e babit tim ai është shkrimtari më i përmendur.
Moikom Zeqo ka krijuar një lidhje më shumë me lexuesin dhe Poradecin edhe përmes dy botimeve “Lasgushi i panjohur” dhe librin album “Lasgush Poradeci dhe Engjëjt e Pikturës”. Si e keni pritur kujdesin që ai ka treguar ndaj dorëshkrimeve të Poradecit, por edhe ndaj librit-album?
Kur mora vesh që ishte i sëmurë, u dëshpërova shumë. Por ai nuk mund të kalonte në botën tjetër pa bërë një studim për Lasgushin, që e kishte shumë të dashur. Na ka gëzuar shumë, si mua, ashtu edhe motrën.
Cili është vlerësimi juaj për Moikom Zeqon si një figurë shumëdimensionale, veçanërisht sa i përket krijimtarisë letrare që ai la pas?
Ishte një njeri shumë i ditur, mund ta pyesje për gjithçka dhe ai nuk përtonte asnjëherë të përgjigjej. Do të na mungojë shumë mua dhe motrës, gruas dhe së shoqes së tij, Lidës, fëmijëve dhe gjithë kulturës shqiptare. Do kujtohet gjithmonë me dashuri dhe mirënjohje për të gjithë veprën që la dhe nga ata që e njohën. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.moikom
Ditari/ Takimet e Moikomit me Lasgushin
Ishte viti 1980, kur Moikom Zeqos i kërkohet nga Muzeu Historik i Pogradecit për të bërë një zhytje kërkimore në afërsi të gadishullit të Linit për të zbuluar një thesar të fshehur, që sipas hamendësimeve i përkiste perandorit ilir, Justinianit të Bizantit. Gjatë kësaj kohe të qëndrimit të tij në Pogradec, ai, së bashku me bashkëshorten e tij Lidën, do ta vizitojë disa herë Lasgushin. Në disa prej takimeve, të pranishëm do jenë edhe bashkëshortja e poetit, Nafija, si dhe dy vajzat e tij. Do të kalonin vite, kur vajza e Lasgushit, Maria, do të zbulonte se poeti këto vizita të Moikomit i kishte shënuar në ditarin e tij, bashkë me të tjera vizita e biseda të ’81-shit. Në ditar, poeti shkruan edhe për vajtjen e anuluar të tijën dhe Zeqos në Kosovë (për shkak të vdekjes së Titos, në një delegacion të Lidhjes së Shkrimtarëve).
(Panorama)