Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili, i pranishëm gjatë inspektimit për zbatimin e masave kundër Covid-19, në operatorët e biznesit në qytetin e Durrës, tha se jeta dhe shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet. Në sajë të bashkëpunimit me projektin për Sigurinë Ushqimore të financuar nga BE-ja, AKU-ja ka vijuar shpërndarjen e materialeve mbrojtëse si mbështetje dhe bashkëpunim me subjektet ushqimore për t’i ardhur në ndihmë në zbatimin e masave të marra nga qeveria shqiptare.

Lili theksoi se respektimi i të gjitha masave të vendosura dhe forcimi i mëtejshëm i tyre është detyrë e çdo subjekti ushqimor, ndaj kërkoi forcimin e bashkëpunimit për të shmangur ndëshkimet ndaj çdo shkeljeje të mundshme. “Jeta dhe shëndeti i konsumatorëve është prioriteti kryesor i AKU-së, askush që cenon interesin e përbashkët nuk do të tolerohet, ndaj të bëjmë më të mirën e mundshme për ta mbrojtur atë”,- tha Lili.

“Krahas monitorimit në zbatimin e protokolleve të masave kundër Covid-19, ne ju ofrojmë operatorëve të biznesit edhe vendosjen e shenjave dalluese për ruajtjen e distancimit social si dhe dezinfektantin e duarve. Nga kontrollet e vazhedueshme shohim një ndërgjegjësim të biznesit për respektimin e masave dhe protokolleve të sigurisë. AKU do të vazhdojë inspektimet për garantimin e sigurisë ushqimore”- tha Lili.