Nga Hermes Kafexhiu

Në prag të ndryshimit të Reformës Territoriale m’u kujtua e gjithë kronologjia e ngjarjeve që kanë shoqëruar këtë zhvillim. Ajo që bie në sy është se përditshmëria jonë nuk e vlerëson shpesh peshën e asaj që ndodh. Të enjten do të votohet reforma që do të përcaktojë 20 vitet e ardhshme të zhvillimit demokratik, social dhe ekonomik në Shqipëri. Edhe ky nuk është një debat vegjetues, ndoshta lajmet mbi Territorialen nuk mund të jenë aq të klikueshme sa bisedat e Vlorë Hysenit, por janë shumë herë më ndikuese në shoqëri se ajo.

E kam shkruar diku kur një plak ish-mësues nga Këlcyra më mori në telefon dhe më tha: “Të lutem bëj një shkrim, për historinë e Këlcyrës, ata duhet ta lexojnë për ta ditur se çfarë historie ka ky qytet, edhe kështu mund të vënë dorën në zemër edhe s’mund ta shkrijnë”.

E sjell në vëmendje këtë bisedë sepse debatin mbi Reformën e ka shoqëruar kërcënimi i humbjes së identitetit të zonave përkatëse, fshirja e historisë së tyre dhe kriza kulturore që mund të pësojnë. Hartuesit e Reformës thonë se qytetet do të mbesin sipas hartës së re, pra identiteti sipas tyre do të ruhet. Po pyetja që lind është kjo, a do ta ketë fuqinë qyteti përballë peshës që do të marrë bashkia, që sipas reformës do të ketë një vlerë më të madhe jo vetëm ekonomike, sociale, por edhe në emërtim. Bashkia a mund ta fshijë qytetin? Kjo është një pyetje që meriton një studim të thelluar, edhe një opinion të kushtëzon për ta zgjatur më tepër.

Debati tjetër është ai i kontributit. Këtu është dhe pjesa më interesante edhe për lajmet, por edhe mbi çështjen. Kontributi në këtë rast shtrohet jo vetëm në një prizëm. Erion Braçe është ai që artikulon kontributin e bashkive dhe komuniteteve, të cilat sipas tij duhet të merren në konsideratë, duhet që tryezat të jenë më të zgjatura dhe më të thelluara. Duhet shpjeguar, thotë Braçe, se si do të veprohet pas votimit të kësaj Reforme kur ligji i vetëqeverisjes vendore nuk i përshtatet aspak kompetencave të reja. E mbi të gjitha Braçe e ka debatin e tij me mënyrën. Mënyrën se si kjo reformë është bërë dhe sesi njerëzit, sipas tij, janë injoruar për kontributin e dhënë. E nga ana tjetër Braçe ka një dhe ironi personale lidhur me këtë diskutim, sepse ai ndodhet në një kohë politike jo si të tjerat. Braçe i ngjan në një farë mënyre vetë atyre bashkive që rrezikojnë të shkrihen, të cilat kërkojnë me ngulm të shihet kontributi dhe eficenca e tyre. Braçe prej disa kohësh flet për kontributin e injoruar sipas tij të socialistëve, të cilët nuk merren më në konsideratë dhe nuk dëgjohen. Edhe ky artikulim paralel, duke përdorur si mjet dhe reformën, ka bërë që diskutimi të shpërndahet në disa pika që vijojnë të mbajnë opinionin publik.

Diskutimi tjetër lidhet me pragmatizmin ose, le të themi, makiavelizmin politik që ka hartimi i Reformës. Kjo është ana e Ramës dhe e hartuesve. Rama kërkon që bashkitë të centralizohen sepse ndarja e tyre ka nxjerrë në pah bashki pa eficencë. Sipas Ramës, centralizmi do të sjellë eficiencë ekonomike, do të përqendrojë më tepër vendimmarrjen dhe do të ketë një peshë reale ekonomike dhe sociale. Po Rama nuk i mendon të tjerat. Nuk mendon as lëvizjen e popullatës dhe as ruajtjen e fshatit si zhvillim ekonomik. Ai vijon të bëjë atë që ka bërë që në hyrjen e tij në politikë. Vijon tezën e sistemit “diell”, qendra e zhvilluar reflekton zhvillim edhe në periferi. Në shumë raste kjo Ramës nuk i ka rezultuar e saktë.

Edhe e fundit është hipokrizia. Hipokrizia politike e Berishës dhe Partisë Demokratike. Hipokrizi sepse në disa shkrime të mëparshme i parapriva situatës së të enjtes, ku Berisha do të bënte sikur do i vinte keq për votimin e Reformës dhe do shprehte revoltën, kur në fakt e miratoi atë poshtë tavolinës për të ruajtur licencën e tij të shumicës opozitare. Berisha vetëm llomotiti mbi reformën, po nuk ndërmori asnjë bllokim, asnjë presion real, madje as nuk arriti të gjente një rrugë të ndërmjetme. Fakti që ai kaloi in extremis me propozimin, rrëfen ekzistencën e prapësisë së tij për të bërë sikur nuk e do reformën, ndërkohë ai e dha viston vetë. Kështu e enjtja do të jetë krejtësisht hipokrite, krejtësisht e trazuar për të na e përzier laringtin politik me një tjetër hipokrizi që nuk ka fund.

Se në fakt, aty ku nuk ka reformim territorial brenda një organizate siç është PD-ja, si mund të besosh se pikërisht ajo do të dojë një Reformë Territoriale përtej saj.