Nga Albert P. Nikolla/
Më kujtohet kur isha diku 4 apo 5 vjeç dhe vëllai i madh më mori për herë të parë në jetën time në kinema. Kinemaja ishte në pjesën e brendshme qendrore të pallatit të kulturës. Ishte filmi “Preludi i lavdisë”! Kur filloi shfaqja e filmit, isha paksa i trazuar dhe pyeta vëllanë se si ishte e mundur që ata njerëz lëviznin në pëlhurën e bardhë si fantazma? Ai më shpjegoi se në të vërtetë njerëzit ishin të ngërthyer në shiritin e zi që rrotullohej me një zhurmë aq të këndshme në aparatin e vjetër kinez, si ujë në një përrua, dhe që drita e aparatit i nxirrte prej aty dhe i bënte të lëviznin në pëlhurë!
Kjo mbamendje më erdhi si përhitje teksa lexoja një shkrim të gazetës italiane “Il Fatto Quotidiano” mbi një mashtrim të madh të ndodhur në pranverën e vitit 2017 kur disa media periferike italiane shpifën sikur kinse drejt Shqipërisë ishin nisur me mijëra kamionë me mbetje toksike në marrëveshje të fshehtë me Qeverinë Shqiptare për të helmatisur gjithë shqiptarët dhe të vetmit që do të përfitonin ishin mafia italiane dhe qeveritarët shqiptarë. Atëbotë ky mashtrim nuk pati fort sukses pasi dukej ashiqare se ishte një përpëlitje opozitare për të krijuar rrëmujë dhe destabilizim të shtetit. Ajo që më sjell përhitjen që përmenda më lart ka të bëjë me faktin se ky artikull nxjerr në pah një plan të mirëfilltë dredharak të opozitës dhe mënyrën sesi pjesëtarë të saj kanë thurur planin me ato pak persona të korruptuar përtej detit. Bash si shiriti i filmave të fëmijërisë sime me aparate kineze, edhe shpirti opozitar i bobinave të errëta nxjerr në pëlhurën e filmit grotesk opozitar qënie që paguajnë shuma të konsiderueshme të hollash për të përdhosur Shqipërinë, që mjerisht për fatin e tyre të keq, është edhe atdheu i tyre. Është një Opozitë rregnshore kjo, ky është thelbi i saj, përndryshe nuk ekziston.
Në disa raste, pohon shkrimtari i madh rus M. Gorki në vëllimin me tregime “Vagabondët”, paradoksalisht mashtrimi na ndihmon më shumë se e vërteta që të kuptojmë shpirtin e një personi apo, në rastin tonë, të një grupimi politik që mbijetesën e shikon tek gënjeshtra. Jo vetëm për faktin se mashtrimi si i tillë nuk mund të jetë kurrë i përkryer e për pasojë një ditë shfaqet në jo-esencën e vet, por edhe se duke parë detajet e mashtrimit zbulojmë natyrën shpirtërore të gënjeshtarëve, pasionin e tyre për mynxyrën, turpin e madh. Në fakt edhe detajet e mashtrimit opozitar janë interesante në prapësinë e tij. Ja disa të dhëna: politikani dhe gazetari Sergio De Gregorio zgjidhet senator me partinë “Italia e vlerave” themeluar nga gjykatësi i famshëm italian Antonio Di Pietro. Dy vite më vonë, sipas akuzave, ky senator blihet me 3 milion euro nga Berlusconi dhe braktis partinë “Italia e vlerave” dhe kalon me partinë e Berlusconi-t për të shkaktuar rënien e qeverisë Prodi. Vetë De Gregorio e pranon krimin dhe kërkon gjykim të përshpejtuar dhe pranon dënimin prej 20 muaj burg. Tani, opozita jonë në vend që të ketë marrdhënie me shumicën dërrmuese e të denjë të së djathtës italiane për të ndërtuar ide e e projekte politike, zgjedh si pikë referimi këtë soj politikani për të shpifur në mënyrën më të pisët kundër vendit të vet. Kjo është filozofia e saj e përbaltjes pa asnjë të ardhme politike.
Një pjesë e politikanëve të djeshëm e që janë protagonistë realë të opozitës së sotme, duke qenë të tharmuar shpirtërisht nën regjimin komunist, e kanë të vështirë të bëjnë kapërcimin mbi “modelin e mashtrimit”, siç i quan H. Arendt modelet politike totalitare. Ajo pohon se në shoqëritë totalitare problemi i marrëdhënies së të vërtetës me politikëbërjen është dramatik. Për rrjedhojë, këta politikanë të tharmuar në atë epokë e kanë shumë të vështirë të ndërtojnë një marrëdhënie të re me të vërtetën dhe të përshtaten me peshën e lirisë që kërkon politika sot. Kjo është arsyeja se pse një pjesë e tyre ndihen të pikëlluar kur nuk u ecën mashtrimi.
Për sa i përket konceptit të së vërtetës mendoj se Opozita po bëhet e burgosura e vetvetes. Ka një një kundërthënie të madhe në të bërët politikë prej saj e kjo besoj lidhet me faktin se në atë mjedis politik e vërteta ka pak vlerë. Duket sikur opozitën e ka vënë përtokë një totalitarizëm të gënjeshtrës e mashtrimit. Analistë të shumtë opozitarë nuk e kanë për gjë të paguhen për të gënjyer pa iu dridhur qerpiku, siç bënë edhe në rastin e këtij mashtrimi në vitin 2017. Problemi bëhet thellësisht dramatik kur gënjeshtra arrin të depërtojë tek projekti politik dhe marrdhëniet ndërkombëtare të institucionit opozitar, pasi ajo është është edhe një njësi edukimi i politikanëve të rinj të së djathës shqiptare. Pedagogjia dhe politika janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën në misionin e “përpjekjes për arritjen e lirisë”: nëse politika e pengon edukimin drejt së vërtetës, atëherë përpjekja për lirinë është e humbur. Dhe, anasjelltas, një pedagogji politike e gabuar, si ajo e opozitës së sotme, që nuk ka si busull të vërtetën mund të krijojë iluzionin se pushteti merret me rrena dhe me kurthe. Poeti i madh grek i shekullit V para Krishtit, Pindari, kishte të drejtë kur thoshte: “O njeri, bëhu ai që je”. Gënjeshtra është arratisja prej së vërtetës e për rrjedhojë ikja prej të qenurit person autentik, e për rrjedhojë prej të qenurit opozitë autentike.