Kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Zef Mazi, tha sot se procesi në fjalë është ushtrimi më i vështirë që ka pasur vendi ynë. Ai shtoi se ndihet i vlerësuar për detyrën e ngarkuar, por edhe i motivuar nga përbërja e ekipit negociator.

“E falenderoj zotin Kryeministër për panoramën e gjerë që bëri në lidhje me negociatat. Ndihem mjaft i prekur nga vlerësimi në adresën time. Për mua është nder që në cilësin e kryenegociatorit me BE, që të jem përballë ekipit negociues dhe ambasadorit Soreca.

Detyra që kemi përpara është mjaft e vështirë dhe komplekse. Ky është ushtrimi më i vështirë që ka marrë vendi ynë për të realizuar në historinë moderne të vendit tonë. Ndihem pak nostalgjik sot sepse sot ndodhem te institucioni ku unë mora një rrugë të gjatë” – tha Mazi gjatë prezantimit të tij.

Kryenegociatori tha se suksesi i misionit varet nga puna në ekip dhe ritmi i punës.

“Kemi të bëjmë një maratonë të gjatë. Ne e dimë se kush e nis me vrull vrapin në maratonë, nuk arrijnë as në gjysmën e saj. Unë do të kërkoj pa asnjë shmangie bisedime me të gjithë aktorët politikë të vendit. Sepse kjo rrugë e gjatë ka nevojë për institucionet tona. Për Presidentin, Kuvendin, akademikët, mediat. Pra i gjithë kompleksi institucional duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me këtë ecuri” – tha Zef Mazi.

Diplomati u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një Akademi Integrimi, ku do të marrin pjesë lektorë dhe ku duhet të aplikojë cilido që mendon se ka aftësitë e duhura.

“Posti që unë kam nuk është për të këshilluar, por për të marrë këshilla. Ndaj në ekip do të përzgjedhim më të mirët” – tha ai.