Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari njoftoi sot se duke filluar nga data 3 qershor 2020 do të rifillojë shërbimi konsullor për praktika që kërkojnë praninë e qytetarëve në sportele.
“Për shkak të Emergjencës COVID-19, të gjitha takimet e periudhës 11 mars – 31 maj 2020, për shërbimet konsullore , do të fiksohen data të reja, për të cilat do të njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar në adresën e-mail nga ku kanë aplikuar. Nuk nevojitet të aplikohet sërish për të kërkuar takim”, thekson Konsullata.
Konsullata shton se, “në të njëjtën mënyrë do të njoftohen për datën e takimit edhe qytetarët që kanë kryer kërkesa të reja në portalin Shërbimi Konsullor Online”.
“Të gjitha shërbimet do të kryhen vetëm me takim të caktuar nga Konsujt! Në mbrojtje të shëndetit publik dhe në zbatim të legjislacionit të Emergjencës COVID-19, ftojmë që prania e qytetarëve në mjediset e Konsullatës të jetë në përputhje me DPCM në fuqi, duke respektuar rregullat e parashikuara që nga distancimi fizik dhe mbajtja e maskës, ashtu edhe matja e temperaturës, në hyrje për në Konsullatë, thuhet në njoftim.
“Lutemi të respektohet me përpikëmëri orari i takimit të caktuar në njoftimin që merrni me e-mail. Ftojmë qytetarët të ndjekin në vijmësi faqet tona në Facebook”, thekson Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari.