Nga Enver Robelli/
Helmut Hubacher është 94-vjeçar. Në vitet 1950-të ai ishte punëtor në hekurudhat e Zvicrës, pastaj u bë redaktor në një gazetë majtiste, mandej – nga viti 1963 – ishte anëtar i parlamentit të Zvicrës. 34 vjet me radhë! Nga mesi i viteve 1970-të provoi të bëhet ministër në Basel, por elektorati konservator nuk e pranoi. Hubacher ishte tepër i majtë, tepër kryengritës, tepër “i egër”, një “ardhacak”, siç i përçmojnë qytetarët e Baselit (dhe jo vetëm) njerëzit që vijnë nga shtresat më pak të privilegjuara.
Mes viteve 1974 dhe 1990 Hubacher ishte kryetar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Përjetoi Luftën e Ftohtë, rënien e Murit të Berlinit, skandale të politikës zvicerane (për shembull përgjimin e kritikëve të sistemit nga ana e shërbimit sekret zviceran), luftoi për pensione më të mira dhe për më shumë të drejta për punëtorë.
Pasi u tërhoq nga politika, Hubacher nisi të shkruajë kolumne për gazetën “Basler Zeitung”. 1445 herë shkroi për politikën lokale, nacionale dhe globale. Herë i mllefosur për shkak të padrejtësive, herë zë pajtimtar për interesa madhore të vendit, herë kritik i partisë së tij, herë goditës i ashpër i konkurrencës politike, por pa e stigmatizuar atë. Sot në “Basler Zeitung” është botuar kolumna e fundit e Helmut Hubacherit. Një sëmundje e ka detyruar të tërhiqet. Tekstet i shkruante me makinë të shkrimit, pastaj e fuste letrën në faks dhe ia dërgonte redaksisë. Teksti daktilografohej, korrigjohej dhe botohej. Për gjeneratat e sotme të gazetarëve dhe lexuesve kjo tingëllon e paimagjinueshme.
Në tekstin e fundit për gazetë ai shkruan për fëmijërinë dhe sidomos për gjyshin e tij, i cili 43 vjet kishte punuar në fabrikë. “Ai më ka mësuar të kem respekt para njerëzve me pushtet, por jo frikë. Të veshur vetëm me brekë ata nuk duken më ndryshe se ne dy. Kjo filozofi e thjeshtë më ka mbrojtur”.
Në prill 1999, kur NATO përpiqej të ndalte terrorin serb në Kosovë, Hubacher shkroi: “Çfarë na thotë ndërgjegjja jonë? Sllobodan Millosheviqi po e vazhdon në Kosovë atë që e ka filluar në Bosnjë. ‘Opozita’ nacionaliste i mbështet planet e tij për Serbinë e Madhe. Pasojë e kësaj janë 42 mijë shqiptarë të Kosovës që janë strehuar në Zvicër. Dëbimi i tyre filloi para se të binin bombat e NATO-s”.
Në një tekst tjetër Hubacher protestonte kundër politikanëve konservatorë zviceranë që ishin kundër pranimit të refugjatëve nga Kosova. Në maj 1999 Hubacher shkroi: “Të shtunën e parakaluar në pikën kufitare Chiasso nuk u lejua të hyjë në Zvicër një grua shtatzënë me pesë fëmijë të vegjël. Ajo është shqiptare e Kosovës. Është shtatzënë, nuk ka familjarë në Zvicër. Ajo nuk pati shans, Zvicra zyrtare reagoi pamëshirshëm. Përgjegjësit për dëbime të tilla mbase nuk i mundon asnjë ndjenjë faji. Ndoshta ata dyshojnë vetëm në pafajësinë e saj. Gjeneratat e ardhshme më vonë ‘mund’ të arsyetohen”. Një goditje pa fjalë të mëdha!
“Shqipëria”, vazhdonte Hubacher, “është streha më e varfër e Europës. I ka 3,4 milionë banorë, gati sa gjysmën e banorëve të Zvicrës. Tani Shqipëria është qendra më e madhe e azilit në botë. Mbi 400 mijë shqiptarë të Kosovës kanë ikur apo janë dëbuar atje. Refugjatët përbëjnë 12 për qind të popullsisë së Shqipërisë. Përkthyer në rastin e Zvicrës do të ishin 840 mijë refugjatë! Çfarë ne nuk mund ta marrim me mend, në Shqipëri është realitet”.
Ndërkohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Në ekipin nacional të futbollit të Zvicrës luajnë disa shqiptarë. Dhe ky nuk është suksesi i vetëm i një komuniteti shqiptar gjithnjë e më dinamik në Zvicër. Në partinë e Helmut Hubacherit tani po bëjnë karrierë edhe shqiptarët. Këtë javë politikania socialdemokrate Ylfete Fanaj është zgjedhur kryetare e Parlamentit të Luzernit. “Kjo Zvicër është, kur të shikohet gjithanshëm, një vend fantastik”. Kjo është fjalia e fundit në kolumnën e Helmut Hubacherit.
Hubacher ishte vizionar. Kur në fillim të viteve 1980-të filozofi zviceran Arnold Künzli dhe intelektualë të tjerë u angazhuan për të shkruar programin e ri politik për Partinë Socialdemokrate, ata nuk i fshehën simpatitë për modelin jugosllav të “vetëqeverisjes socialiste”. Helmut Hubacher i hodhi në ajër këto ide me një fjali legjendare: “Kjo është muzikë për ardhmërinë me një trumbetë fëmijësh” – ndonëse vetë Hubacher i kishte angazhuar intelektualët për të menduar më gjerësisht dhe shkruar mbi të ardhmen e socialdemokracisë. Në nëntor 1981 skica e intelektualëve për programin e partisë u hodh poshtë në mënyrë masive nga kongresi i partisë. Shkolla e vjetër socialdemokrate e Helmut Hubacherit mbetet e rëndësishme edhe për të ardhmen e Zvicrës.