Deputetët shqiptarë janë ndër më të paguarit në rajon dhe pagës fikse të tyre u shtohen edhe pagat nga pjesëmarrja nëpër komisione të ndryshme parlamentare, si dhe shpërblime të tjera, si dieta, pagesat e qirasë, telefoni, karburantit e të tjera.

Në lidhje me përfitimet financiare të ligjvënësve herë pas here ka pasur debate nëse justifikojnë, apo janë në përputhje me standardin e shoqërisë. Vetë njëri prej deputetëve mendon se jo dhe për këtë ka dorëzuar në Kuvend propozimet e tij për të ndërhyrë në ligjin “Për statusin e deputetit” duke rishikuar me ulje rrogën dhe bonuset e tjera që parashikohen aty.

Nisma është e deputetit të opozitës parlamentare, Erion Piciri, që foli për Gazetën “Si”.

“Ky projektligj ka hyrë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, por nuk është marrë në shqyrtim nga Komisionet përgjegjëse. Ende nuk ka sinjale në drejtim të pozicionimit të deputetëve dhe nuk dua t’i paragjykoj në këtë drejtim. Shpresoj të reflektojnë ndaj argumenteve të mia dhe të tregojnë vullnet politik për të eleminuar disa privilegje, që janë në proporcion të zhdrejtë me stadin zhvillimor të shoqërisë shqiptare”, deklaroi zoti Piciri.

Çfarë mesazhi përçohet tek qytetarët reduktimi i pagës dhe benefiteve të tjera?

“Besueshmeria e Parlamentit, cilësia e parlamentarëve dhe perceptimi publik mbi efektivitetin e punës së tyre janë në kuota të ulëta në këtë periudhë. Një shkurtim page dhe heqje privilegjesh do të ndikonin pozitivisht në opinionin publik, duke i treguar shoqërisë se deputetët nuk janë të varur nga paraja, por të orientuar nga rezultati, mirëqënia kolektive dhe evolucioni i shoqërisë. Kur këta indikatorë të zhvillimit kombëtar mungojnë dhe Shqipëria renditet me vende të Afrikës dhe Amerikës Latine, Kuvendi reagon duke ndëshkuar vetveten. Përgjegjshmëria politike e kërkon të mos marrësh atë që nuk e meriton”, shpjegon më tej deputeti.

Por, a ekziston rreziku që reduktimi i përfitimeve financiare të deputetëve të mund të cenojë pavarësinë dhe t’i bëjë deputetët më vulnerabël në vendimmarrje të gabuara në Parlament? Piciri mendon të kundërtën.

“Besoj se pagat dhe privilegjet e larta ndikojnë negativisht në vendimmarrjet e deputetit. Për të ruajtur përfitimet përfaqësuesit sakrifikojnë principet dhe bindjet e tyre politike. Konformizmi partiak, heshtja dhe votimi në linjë partie janë në nivele të larta në Parlamentin shqiptar. Duke ulur benefitet kjo detyrë publike do të jetë më pak e kërkuar nga oportunistët dhe do të kthehet në një profesion të idealistëve me vokacion të qartë politik. Kështu i shërbehet më mirë interesit publik. Politikanin duhet ta udhëheqë pasioni, jo përfitimet e pushtetit. Janë të shumtë njerëzit e zot që nuk mund të hyjnë në Parlament se parapëlqehet profili i deputetit të përulur, që rend mbas favorit të postit se sa mbas luftës për të ndyshuar Shqipërinë”, shpjegon Piciri.

Nisma është përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, por nuk ka kaluar për shqyrtim në komisionet parlamentare. Në relacionin shoqërues janë pesë pika objektiv i ligjit. Së pari ligji kërkon reduktimin me 30 për qind të rrogës bazë të deputetit, së dyti tërheqjen e pagesës 470 mijë lek të vjetra për karburant dhe telefon, së treti heqjen e mundësisë për strehim me kredi të buta, apo për të futur mallra pa doganë, së katërti heqja e pagës kalimtare deri në 3 vjet dhe barazimin e saj me të gjithë qytetarët shqiptarë që përfitojnë sipas vjetërsisë të parashikuar në Kodin e Punës dhe së pesti heqja e mundësisë së kurimit jashtë, kur këtë nuk e gëzojnë as fëmijët e sëmurë rëndë në vendin tonë.

“Në vendin ku rroga mesatare është 526 mijë lek të vjetra, rroga bazë e një deputeti nuk mund të jetë sa treshi i saj, 1 milion e 567 mijë lek të vjetra. Nëse i shtohen edhe pagesat ekstra për komisionet, karburanti, telefoni, dietat e të tjera përfitime, ajo shkon për një deputet të thjeshtë sa afro pesëfishi i rrogës mesatare në nivel kombëtar”, thuhet në relacionin e projektligjit.