Shumë amerikanë janë dukshëm të tmerruar nga fjalët zjarrndezëse të Presidentit Donald Trump në përgjigje të protestave që kanë shpërthyer në qytetet kryesore të vendit. Dhe, a do t’i shtyjnë sërish amerikanët paragjykimet racore shekullore – shpesh të pathëna, e madje edhe të papranuara – të votojnë një burracak ballist të bardhë që ofron një siguri false?
Nga Ian Buruma
A mundet që Shtetet e Bashkuara të jenë duke u përballur me një përsëritje të verës së vitit 1968? Në atë kohë, bota pa se si zemërimi popullor shpërtheu në të gjithë Amerikën, ndërsa periferitë e qyteteve të banuara në përgjithësi nga afro-amerikanët shpërthyen në zjarr dhe të rinjtë u bombarduan me gaz lotsjellës dhe u sulmuan e shpesh u rrahën brutalisht nga forcat speciale policore dhe Garda Kombëtare.
Rezultati i trazirave civile ishte ajo që një pjesë e liberalëve të Amerikës kanë frikë se do të përsëritet më vonë këtë vit. Richard Nixon, kandidati republikan për President në atë kohë i premtoi “shumicës së heshtur,” “atyre që nuk bërtasin,” dhe atyre që nuk marrin pjesë në demonstrata,” se ai do të rivendosë rendin dhe ligjin me forcë. Të shpartalluara, zonat urbane më së shumti afro-amerikane u lanë pa fonde federale dhe u izoluan edhe më shumë, ndërsa periferitë suburbane përgjithësisht të bardha blenë më shumë armë dhe policia u armatos a thua se ishte një degë e ushtrisë.
Telashet më 1968, njësoj si protestat sot, filluan gjithashtu me zemërim kundër shtypjes së njerëzve të zinj të Amerikës. Një ditë pasi Martin Luther King, JR., deklaroi se “kombi është i sëmurë,” ai u qëllua dhe u vra nga një kriminel racist i bardhë. Protestat që pasuan ishin jo vetëm një shprehje e zemërimit ndaj vrasjes së King, por edhe ndaj mungesës së mundësive ekonomike dhe arsimore që ishin rezultat i një historie të gjatë dhe shpesh të dhunshme racore.
Dhe pavarësisht se një afro-amerikan pati dy mandate në Shtëpinë e Bardhë së fundmi, kushtet sot vështirë se janë më të mira për ta. Dhe në disa drejtime, janë edhe më të këqija. Vdekja e dhunshme e King bëri jehonë këtë vit kur një i zi tjetër, George Floyd, i pafuqishëm 46 vjeçar nga Mineapolis, u vra nga një polic i cili i vuri gjurin në grykë për pothuajse 9 minuta.
Për më shumë, COVID-19 ka goditur afro-amerikanët me një ashpërsi të veçantë, për shkak se shumë prej tyre nuk kanë kursimet e nevojshme financiare dhe janë detyruar të punojnë në zonat e rrezikshme, si infermierë apo punëtorë të tjerë “thelbësorë,” shpesh pa kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Dhe sapo depresioni botëror të fillojë të ndjehet, shumë nuk do të kenë kurrfarë mbrojtjeje prej tij.
Dhe megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme mes asaj që po ndodh sot dhe verës së vitit 1968, përveç faktit që muzika në atë kohë ishte më interesante dhe po kështu kishte më shumë shanse për seks. Kjo e fundit nuk është tërësisht për humor. Nëse je i izoluar për shumë muaj me radhë, për një të ri mungesa e seksit mund të shtojë zemërimin dhe rrjedhimisht, dëshirën për të dalë sërish në rrugë.
Protestat më 1968 nuk ishin vetëm për pabarazinë racore por edhe kundër Luftës në Vietnam. Të dyja këto çështje ishin të lidhura. Presidenti Lyndon B. Johnson, përgjegjës për përshkallëziimin e asaj lufte barbare, ishte një Demokrat, i njëjti njeri që miratoi ligjet për të drejtat civile të cilat në të vërtetë e përmirësuan jetën e afro-amerikanëve. Ai duke e bërë këtë provokoi urrejtjen e shumë prej votuesve nga jugu i Shteteve të Bashkuara, të cilët ia kaluan mbështetjen e tyre Partisë Republikane. Dhe kjo e fundit për këtë shkak u shty edhe më shumë djathtas.
“Ata që bërtasin” dhe “demonstruesit” kundër të cilëve Nixon bëri fushatë nuk ishin vetëm njerëz të zinj, por edhe të rinj të bardhë që i rezistonin rekrutimit për një luftë që ata e konsideronin imorale. Robert F. Kennedy, kandidati që premtoi se do t’i jepte fund luftës dhe që vizitoi getot që po digjeshin për të qetësuar frikërat e afro-amerikanëve, u vra dy muaj pas King.
Nixon fitoi zgjedhjet atë nëntor jo vetëm për shkak se ai zbuti “shumicën e heshtur” që ishte zënë nga paniku, me premtimin për ligj dhe rend, por edhe për shkak se Humbert Humphrey, një Demokrat i moderuar dhe dinjitoz, refuzoi të dënojë Luftën e Vietnamit. Joe Biden, kandidati kryesor i demokratëve për zgjedhjet e këtij viti, ka demonstruar se pavarësisht të gjitha defekteve, ai mund të mos jetë një Humber Humphrey i ri. Simpatitë e tij janë dukshëm me protestuesit. Biden ka dënuar publikisht shumë raste të dhunës policore kundër njerëzve të zinj të paarmatosur dhe ka premtuar se do të reformojë agjencitë ligjzbatuese.
Në kohë të këqija, sfiduesi ka disa avantazhe të caktuara. Njësoj si Johnson u mbajt përgjegjës për përshkallëzimin e një lufte shumë jopopullore, mbajtësi aktual i Shtëpisë së Bardhë do të ketë problemet e veta me sëmundjet e Amerikës sot. Donald Trump nuk mund të mbahet përgjegjës për pandeminë COVID-19, por ai mund të mbahet përgjegjës për reagimin e keq ndaj pandemisë.
Po kështu, racizmi institucional që ka hedhur sërish në flakë rrugët e Amerikës nuk ka filluar me Trupm. Por ai i ka fryrë zjarrit qëllimisht duke fyer imigrantët me lëkurë të errët si kriminelë dhe duke i ka quajtur supermacistët e bardhë të armatosur njerëz rë mirë apo ka injoruar protestuesit e zemëruar të zinj si “gangsterë,” apo ka nxitur milicët, rojet dhe policët, të shtypin me dhunë protestat, ose, siç e shprehu ai me një nënqeshte: “Ju lutem mos u tregoni me edukatë.”
Ndërsa disa grupe në ekstremin e djathtë në SHBA flasin me shpresë për një “luftë mes racave”, Trump nuk bën asgjë për të penguar entuziazmin e tyre të dhunshëm. Përkundrazi, ai duket sikur e mbështet atë. Një mesazh i kohëve të fundit në Twitter prej tij që thoshte se “kur fillojnë vjedhjet, fillojnë të shtënat,” është një citim i drejtpërdrejtë nga shefi i policisë së Majemit në Florida, i cili urdhëroi trupat e tij më 1967 të shënjestrojnë me shotgan demonstruesit nga “zonat e negrove” të qytetit të tij.
Kjo në politikë quhet “të përzjesh bazën.” Dhe një pjesë e madhe e bazës së Trump me të vërtetë që po përzjehet. Pyetja e madhe në Nëntor do të jetë se çfarë do të bëjnë njerëzit që votuan për të më 2016 por nuk janë mbështetës fanatikë të tij. Çfarë po mendojnë aktualisht gratë e bardha të rrethinave dhe punëtorët e mesëm të Mid Uestit apo të moshuarit e jugut?
Shumë amerikanë dukshëm janë tmerruar nga fjalët zjarrndezëse të presidentit të tyre. Por a do të mjaftojë zemërimi i tyre për të kapërcyer ankthin e krijuar nga dhuna nëpër protesta?
Dhe, a do t’i shtyjnë sërish amerikanët paragjykimet racore shekullore – shpesh të pathëna, e madje edhe të papranuara – të votojnë një burracak ballist të bardhë që ofron një siguri false?
Shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet këtë verë të nxehtë. Nëse njerëzit mendojnë në mënyrë racionale në nëntor, është e vështirë të besosh se ata do të votojnë sërish këtë administratë rrënqethëse për t’i dhënë edhe katër vjet pushtet. Problemi është se frika është armiku më i madh i arsyes.
Project Syndicate-Birn