Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare për rrugën e Shqipërisë për hapjen e negociatave, u shpreh se përfundimet e Këshillit të marsit kanë treguar qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para Konferencës së parë Ndërqeveritare.

“Zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero ka theksuar se përfundimet e Këshillit të marsit kanë treguar qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo, ka të bëjë me miratimin e reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, të sigurojë financimin transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh opinionet e Komisionit të Venecias, si dhe finalizimin e ngritjes së strukturave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thekson Delegacioni i BE për ATSH.

“Shqipëria duhet të forcojë gjithashtu më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe planin e veprimit për të adresuar rekomandimet e FATF-së (Financial Action Task Force). Këto nuk janë 15 kushte”, shton Delegacioni i BE për ATSH.

“Përfundimet e Këshillit sqaruan gjithashtu se trajtimi i fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbeten gjithashtu prioritete të rëndësishme”, thekson Delegacioni i BE.

“Përfundimet e Këshillit parashikojnë që kuadri i negociatave do të pasqyrojë një numër çështjesh që Shqipëria do të duhet të vazhdojë t’i adresojë në periudhën vijuese, edhe si pjesë e procesit të negociatave. Puna tashmë po vazhdon në këto fusha. Komisioni Europian do të vazhdojë të monitorojë progresin në të gjitha fushat dhe të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë”, përfundon Delegacioni i BE.