OSBE dhe BE kanë reaguar menjëherë pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore. OSBE ka kërkuar që këto ndryshime tashmë të miratohen sa më shpejt në Kuvend.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen ndërpartike për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, një proces thelbësor të cilin ne e kemi mbështetur prej vitesh.
Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Përgëzojmë anëtarët e Këshillit Politik të reformës zgjedhore për përkushtimin e tyre të vendosur për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Ne shpresojmë që të gjitha ndryshimet e dakordësuara të miratohen në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të mbështetë autoritetet shqiptare gjatë zbatimit të reformës”, thuhet në reagimin e OSBE-së.