Nga Artur Ajazi

Dalja e shpeshtë e “doktorantëve” të Partisë Demokratike, komunikimi i tyre me gjoja kolegët e “krahut tjetër”, mendimet dhe alarmet qesharake që ata kanë nisur të japin qysh nga dita e parë e karantinës deri sot, janë forma më e keqe e panikut që mundohen të përhapin. Edhe ditët e fundit, nga selia “bllu” kanë nisur të dalin në podiume, “doktorantët” e SHQUP-it, njëherë duke falenderuar, dhe pastaj duke kritikuar dhe mallëkuar “kolegët” apo dhe ministren e Shëndetsisë. Në deklaratat e tyre të kthyera si traktet e Colit, shihet dhe lexohet qartë synimi për të rikthyer panikun, frikën dhe mosbesimin e shqiptarëve, u bëhet thirrje strukturave të shtetit “të marrin masa” dhe shqiptarëve “të mos tremben nga presioni i Ramës”.

Hajde deshifroi “doktorantët” e SHQUP-it, dhe merri po deshe edhe seriozisht. Paniku, mbetet himni më banal i Partisë Demokratike për të “rrëzuar” qeverinë. Duke qenë se nuk e dëgjon dhe nuk e merr asnjë seriozisht, duket se teoria “hidh diçka në lumë, të turren ta nxjerrin”, ka rezultuar e dështuar. Kryeministri Rama ka ditë që jep porosi dhe këshillon qytetarët, nënpunësit, punonjësit e bizneseve, të kenë kujdes, të zbatojnë me korrektësi masat e vendosura nga Ministria e Shëndetsisë dhe OBSH-ja, pasi në të kundërtën, situata mund të përkeqësohet. Nga ana e saj edhe Ministria e Shëndetsisë dhe ISHP, po flasin dhe kujtojnë 3-4 herë në ditë strukturat vartëse në rrethe dhe qytetarët, mbi seriozitetin e zbatimit të masave anti -COVID-19, pasi ka patur rritje të rasteve të reja. Por duket se SHQUP-i ka avazin e vet, ka “programin” e vet të detajuar në “panik dhe luftë ndaj institucioneve”.

Duke patur mungesë aftësish profesionale, “doktorantët” e PD, asnjëherë përgjatë 2-3 muajve të karantinës, nuk treguan qoftë edhe njëherë gatishmërinë për të qenë pranë kolegëve në ambulanca dhe spitale, nuk treguan qoftë e njëherë gatishmërinë e tyre, për të qenë pranë shtresave në nevojë, pranë atyre që rrezikoheshin më tepër nga prekja e coronavirusit. Ata në ditët e pikut të COVID-19, ishin aleatë me coronën, ishin përhapësit më banalë të frikës, panikut, dhe mosbesimit të një pjese antihumane, e cila mundohej të përfitonte pushtet, vota dhe përfitime të tjera materiale. Paniku, mbetet himni i SHQUP-it sot dhe mot, pasi ai ka nisur qysh nga dita e parë kur humbën zgjedhjet, dhe do të vazhdojë të mbetet si refren politik, edhe kur të humbasin zgjedhjet në 2021. Paniku i SHQUP-it, shprehet gjithmonë kur nisin reformat në drejtësi, kur nisin investimet, kur zbatohen ligjet, kur bota ndihmon Shqipërinë me fonde për të përballuar pasojat e tërmetit dhe coronavisurit, apo dhe kur afrohet data e paracaktuar për vendimin e shumëpritur për hapjen e negociatave me BE.

Paniku mbetet “arma” e ndryshkur e Partisë Demokratike, e cila ka zëvëndësuar idetë dhe programet, platformat dhe politikat zhvillimore, duke na treguar se, ata që sot e për 30 vjet drejtojnë atë parti, kanë mbetur hije të së shkuarës.