320 persona kanë marrë trajtim mjekësor për dëmtime të pësuara gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri nga 13 deri më 21 tetor. Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pjesa më e madhe e të lënduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit.

Të dhënat e administruara nga strukturat shëndetësore tregojnë se nga totali i raportuar, 192 janë efektivë policie, 92 protestues dhe 36 kalimtarë. Mes këtyre të fundit janë edhe gjashtë përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve i huaj.

Edhe protesta e djeshme u shoqërua me të lënduar. Në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u paraqitën gjithsej tetë persona për të marrë ndihmë mjekësore.

Në Spitalin e Traumës morën trajtim gjashtë persona: një polic, një protestues dhe katër kalimtarë. Tre prej kalimtarëve u shtruan për trajtim të mëtejshëm, ndërsa njëri prej tyre iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila përfundoi me sukses. Sipas ministrisë, gjendja e pacientit është e mirë.

Në të njëjtin spital vijojnë të jenë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave. Mes tyre janë katër protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe tre kalimtarë.

Dy personat e tjerë të paraqitur për trajtim në QSUT, një efektiv policie dhe një protestues, janë mjekuar dhe janë larguar nga spitali që ditën e djeshme.

Bilanci përfshin të dhënat e Spitalit Universitar të Traumës, QSUT-së dhe spitaleve rajonale në Durrës, Vlorë dhe Lezhë.