Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shpallur fajtore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për akuzën e shpifjes ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata i ka kërkuar të pandehurës që të paguajë edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore. Veliaj ka paditur Tabakun për shpifje, lidhur me deklaratat që ish-deputetja demokrate kishte bërë nga selia e PD-së në lidhje me çështjen e Unazës së Re. Sipas Gjykatës së Tiranës, shpifja e Jorida Tabakut është kryer gjatë një konference shtypi, ku ajo kish deklaruar se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Veliajt dhe kryeministrit Rama, duke i aku zuar ata për ndryshimin e planit për përfitime personale.

Më herët, kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se të gjitha paratë e fituara nga gjyqet për shpifje ndaj ish-deputetëve të PD, shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore. Veliaj ka dhuruar kompjutera për shkollat e Tiranës edhe demshpërblimet e gjyqeve të fituara për shpifje ndaj ish-deputetes së PD, Albana Vokshi dhe ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja.