Nga Mero Baze

Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e Ardian Dvoranit ka dhënë pasojat e para në Gjykatën e Lartë, duke lënë për së paku tri vite Gjykatën e Lartë pa kryetar. Manovra për të larguar Ardian Dvoranin, nuk ishte vetëm një test për të marrë kontrollin e Këshillit të Emërimve në Drejtësi, por të linin në të vërtetë pa kryetar, Gjykatën e Lartë.

Sipas ligjit, kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të ketë së paku tre vjet vjetërsi në punë dhe nëse ndonjë nga tre anëtarët e zgjedhur plotëson kushtet, pas tri vitesh mund të bëhet kryetar gjykate.

Në nenin 51 të Kushtetutës, ku flitet për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë në pikën 2, paragrafi a, thuhet se kandidati duhet të ketë të paktën tre vjet përvojë profesionale në atë gjykatë.

Aktualisht ata mund të delegojnë dikë prej anëtarëve si nënkryetar, por ky është më i paligjshëm se sa Dvorani, që ishte në detyrë përtej afatit kohor të parashikuar.

Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës së Lartë ka dhe funksione të tjera kushtetuese, për shkak të detyrës që nuk kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë. Ai drejton Bordin e Shkollës së Magjistraturës, thërret mbledhjen e gjyqtarëve të Republikës për të zgjedhur anëtarë të KLGj-së etj.

Ata që mbështetën vendimin e KLGJ, ose së paku, ai që e duartrokiti hapur, Ilir Meta, e argumentoi shkarkimin me hapjen rrugë të plotësimit të institucioneve të drejtësisë.

Në të vërtetë, me këtë akt bllokohen procedurat e plotësimit dhe funksionimit normal të institucioneve të drejtësisë.

Pra KLGJ nën ndikimin e Ilir Metës, ose më mirë të themi shumica e re e Ilir Metës në KLGj, ka bërë një akt të qëllimshëm të bllokimit të institucioneve të drejtësisë me këtë veprim.

Dhe kjo do të ketë pasoja afatgjatë. Plani prej 11 pikash që Ilir Meta e paraqiti si plan për përshpejtimin e reformës në drejtësi dhe për të cilën Ambasada e SHBA dyshonte se kishte dhe një pazar me socialistët, në të vërtetë qysh në goditjen e parë që bëri, provoi se është një plan për bllokimin, edhe kështu shumë të ngadaltë, të reformës në drejtësi.

Ndaj përqëndrimi për të shkarkuar Dvoranin ka qenë i mirëmenduar dhe i maskuar si konflikt personal, për shkak se Dvorani ka qenë gjyqtar i çështjes së Ilir Metës dikur.

Në fakt tani është e qart përse KLGJ bëri atë akt të paligjshëm, nën ndikimin e Metës. Dhe ky është akti i parë kundër reformës në drejtësi, nga vetë njerëzit e drejtësisë së re, të cilët janë haptazi të kapur nga Ilir Meta. Apo kur e kap presidenti drejtësinë, nuk quhet e kapur?