Fredi Merlika, pronari i “Merlika Group”, një biznes fason, ka dalë sot në videon e kryeministrit Rama si ‘mashtrues”.
Kjo pasi në një takim me kreun e PD Lulzim Basha, ai ka thënë se nuk e ka marrë pagën e luftës për punëtorët e tij, por në listën e publikuar nga Rama del se ata e kanë marrë të gjithë, konkretisht 13 punonjës e kanë marrë më datë 15 maj dhe 109 të tjerë më datë 8 qershor.
I shqetësuar, pronari i fasonerisë thotë se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kohës dhe është futur në një kontekst të gabuar për t’i prishur imazhin.
Ai pranon që të gjithë punonjësit e kanë marrë pagën e luftës por thotë se kur ka takuar Bashën dhe ka bërë atë deklaratë, pagën e luftës e kishin marrë vetëm 13 punonjës, ndërsa 109 të tjerëve, u ishte refuzuar kërkesa.
“Po është e vërtetë, unë nuk e mohoj që punonjësit e kanë marrë pagën por kur unë kam bërë atë deklaratë për Bashën, data ka qenë 27 maj dhe atëhere morën pagat vetëm 13 veta ndërsa për 109 të tjerët më erdhi përgjigje negative nga Tatimet”, thotë pronari i Fasonerisë teksa na vënë në dispozicion edhe një ankesë që ka bërë pranë Tatimeve që më datë 16 maj.
“Nuk mund të quhem mashtrues për një deklaratë që e kam bërë para se të kalonin pagat e punëtorëve. Kam bërë ankesa të protokolluara te Tatim-Taksat për pagat e refuzuara të punëtorëve. Ku është mashtrimi këtu? Unë ato paga i doja për vete jo për punonjësit. Faleminderit qeverisë që ia kaloi pagat e luftës por e theksoj, kur unë bëra deklaratën, punonjësit nuk kishin marrë asgjë”, vijon pronari i fasonerisë teksa na vë në dispozicion edhe një video të regjistruar nga vetë ai në takimin me Bashëbn, ku i pohon kryetarit të opozitës se ka marrë pagat për 13 punonjës por jo për të tjerët.