Procesi i licencimeve për klubet shqiptare, sa i përket Kupave të Europës për sezonin 2020-21 ka përfunduar. Federata Shqiptare e Futbollit, në sajë të Komisionit të Licencimeve ka njoftuar klubet që aplikuan mbi vendimin, edhe pse ai do të mbahet i fshehtë deri në fund të garës për të mos e kompromentuar.
Këtë vit aplikoi edhe skuadra e Kategorisë së Parë, Apolonia, duke pasur shpresa te Kupa e Shqipërisë, ndërsa edhe dy skuadra femrash dorëzuan dokumentacionin. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë procedura ka qenë më e shpejtë për shkak edhe të Pandemisë dhe faktit se për 3 muaj nuk kishte asnjë bindje nëse do të rifillonte sezoni ose jo dhe se si do të përcaktohej renditja dhe ekipet e kualifikuara. Sakaq, dokumentacionet e dorëzuara do të shërbejnë edhe për regjistrimin në sezonin 2020-2021 në kampionat.
Risia e këtij viti në procesin e licensimit është se janë përfshirë dhe skuadrat e Vllaznisë dhe Apolonisë nga futbolli femrave. Shqipëria do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm në UEFA Champions League, UEFA Europa League, UEFA Women’s Champions League dhe UEFA Youth League me 6 skuadra.