Nga ARTUR AJAZI/

E kemi parë dhe dëgjuar shpesh ditët e fundit (pas nënshkrimit të marrëveshjes) kryetarin e PD Lulzim Basha, të dalë në qytete, kryesisht në lagje dhe biznese, ku kanë mbetur ende demokratë të padjallëzuar, që besojnë se “ai do të sjellë parajsën”. Në fakt prej 6-7 vitesh, partia që pretendon se “përmbysi komunizmin në Shqipëri, dhe solli demokracinë”, po përjeton atë ç’ka “gatoi” për afro 30 vjet, largimin, ndëshkimin, urrejtjen, dhe presionin e shumicës së anëtarësisë së ikur, për reforma rradikale, për nisjen nga e para të gjithçkaje. Të ribëhet partia-ishte dhe mbetet kërkesa e mbi 90 per qind të atyre që kanë qenë dhe janë akoma anëtarë të PD.

Të ribashkohet partia, të ribëhen zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të zgjedhur kryetarin, nënkryetarët, forumet dhe strukturat nga qendra në rrethe. Të hapet partia, të demokratizohet dhe vendosen kritere në përzgjedhjen e emrave të listës për kandidatë për deputet, dhe jo të bëhen lista nga kryetari dhe sejmenët parazitë. Këto dhe dhjetra kërkesa të tjera nuk vijnë nga “hiçi”, por vijnë nga goja dhe zemra e atyre qindra e mijëra ish-anëtarëve dhe kontribuesve të PD, të larguar, të përjashtuar, dhe denigruar në vite. Vitet ikin, dhe sërish po vijnë votimet e reja të 2021. Sërish Lulzim Basha, po del me “teorinë e rrëshqitjes”, duke deklaruar se “baza do të propozojë dhe përzgjedhë emrat e atyre që do të mbushin listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ne do ti fitojmë zgjedhjet”. Kohë e re, histori e vjetër. E njëjta gjë është thënë dhe stërthënë edhe 4 vite më parë, por kur drejt SHQUP-it, vërshuan propozimet nga baza, ishte Lulzim Basha dhe sejmenët parazitë, që fshinë nga listat “anonimët” dhe futën emrat e panjohur, miq dhe farefis të atyre që deri dje e shkatërruan atë parti nga themelet. Përse (s) duhet që demokratët të votojnë Lulzim Bashën në 2021, përse duhet ti besojnë sërish ata, një kryetari të zgjedhur pa votën e lirë, një kryetari që çdo 4 vjet premton “lista me emra nga baza” dhe ditën e fundit tallet dhe i mashtron ata, përse demokratët e mbetur (s) duhet të votojnë Lulzim Bashën kur deri sot, Partia Demokratike ka ecur me km mbrapsht, nuk ka kryer asnjë reformim , nuk ka afruar të rinjtë, zërat ndryshe, nuk ka afruar elitën intelektuale, apo sepse kryetari dhe “udhëheqësi”, luajnë me dy porta, gjithmonë kur u preket interesi, pushteti dhe pasuria. Përse demokratët (dhe jo shumica e shqiptarëve) (s) duhet të votojnë kësaj here Lulzim Bashën, sepse ndjehen të poshtëruar nga partia e tyre, apo sepse ndjehen të braktisur nga ata që sa kishin pushtetin mbushën thasët me para, dhe sot kanë zënë zyrat e SHQUP-it, sikur ti kishin prona të trashëguara ? Zoti Basha, ti kërkosh votën demokratëve, (dhe aq më tepër shqiptarëve, por kjo është mesele tjetër) dhe tu premtosh atyre profka të tilla, si “kandidatë nga baza, hapje të partisë” apo dhe “ulje taksash, fuqizim të biznesit” dhe pika të tjera programesh pa vlerë, është njëlloj sikur të pretendosh se “do të bëhem president i SHBA me frymën e shenjtë”.

Nuk ju beson më njeri zoti Basha, nuk besojnë më, as ata që mbani zyrave në SHQUP, dhe as ata që ju, i quani “biznese demokratësh” dhe i ftoni dhe premtoni se “sa të bëhem unë kryeministër, do shpëtoni nga hallet, do të jeni ndryshe”. Nuk ju besojnë më zoti Basha, madje as Gazi, Grida, dhe as Ervini, që janë beniaminët e tu, pasi dhe ata e dinë se të fitosh pushtetin me Edi Ramën, duhet të “djersish” ca, të kesh mësuar mirë tabelën e “shumëzimit dhe pjestimit” të votave, dhe ti bësh mirë llogaritë, 7×7…