Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus në Moskë, ku po qëndron po ashtu për të marrë pjesë në një parakalim me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pas takimi kokë më kokë me presidentin Putin, presidenti serb tha se mori “këshilla dhe analiza të mira” gjatë bisedave për “rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.
“Putini është shumë i matur dhe i madh që të thotë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, po a mund të jap udhëzime në mënyrë të zgjuar? Nuk ka dyshim për këtë”, tha ai.
Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështes çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh.
Autoritetet në Kosovë presin që nisma amerikane për rifillimin e bisedimeve të çojë në njohjen e ndërsjellë.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, që është kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Të enjten e kaluar ai tha pas një takimi në Beograd me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se do të refuzonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian nëse Beogradi nuk përfiton diç më shumë në këmbim të njohjes së Kosovës dhe heqjes së pengesave për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.