FIFA ka bërë thirrje për tolerancë, respekt të dyanshëm dhe mirëkuptim, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e kritikoi vendimin e Federatës së Futbollit të ShBA-së për ta larguar rregullën që i detyron lojtarët të ngrihen në këmbë kur intonohet himni kombëtar. Federata e Futbollit e ShBA-së e konfirmoi gjatë fundjavës se do ta largojë atë rregull, që ishte vendosur që nga momenti kur Megan Rapinoe ishte ulur në gjunjë, në shenjë përkrahje ndaj protestave të Colin Kaepernick, duke u ulur në gjunjë gjatë himnit, kundër racizmit dhe brutalitetit policor, transmeton Gazeta Express.

Trump, i cili i ka kritikuar shpeshherë që të dy Kaepernick dhe Rapinoen, ka premtuar se ai nuk do t’i shikojë më ndeshjet pas këtij vendimi, ndërsa shtoi se s’do t’i shikojë as ndeshjet e futbollit amerikan nëse lojtarët ulen në gjunjë. Këto deklarata të presidentit amerikan erdhën si reagim ndaj senatorit Matt Gaetz, i cili kërkoi që lojtarët e ekipit kombëtar të detyrohen të ngrihen në këmbë, duke thënë: “Do të preferoja të mos kemi ekip kombëtar sesa ta kemi një ekip kombëtar që s’ngrihet në këmbë për himnin kombëtar”. Të hënën, FIFA iu përgjigj kritikave të Trump-it, duke kërkuar të ketë tolerancë.

“FIFA fuqishëm bën thirrje për tolerancë, respekt të dyanshëm dhe mirëkuptimet gjatë debateve kaq të rëndësishme”, thuhet në reagimin e FIFA-s. “FIFA ka zero tolerancë ndaj incidenteve të çfarëdo forme të diskriminimit në futboll, siç parashihet edhe në Statutet e FIFA-s. Ne duhet t’i themi jo racizmit dhe jo dhunës”. Ky reagim i FIFA-s vjen pasi kjo shtëpi e futbollit i mbështeti edhe protestat e lojtarëve në Bundesligës ndaj vdekjes së George Floyd.