Nga Laura R.Olson/
Ishte një moment mbresëlënës:Donald Trump, me Bibël në dorë, duke pozuar para aparateve fotografikë në një moment të spikatur të teatrit politik, të mundësuar nga shpërndarja e dhunshme e protestuesve nëpërmjet përdorimit të gazit lotsjellës.
Vizita e presidentit në Kishën Episkopale të Shën Gjonit, e njohur edhe si “Kisha e Presidentëve”, ndodhi menjëherë pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë mbajti një fjalim në Kopshtin e Trëndafilave, duke e cilësuar veten si “presidenti juaj i ligjit dhe rendit”, dhe duke kërcënuar të dërgojë trupat federale për të “rivendosur rendin dhe sigurinë në Amerikë”.
Të nesërmen, Trump zhvilloi një vizitë tjetër të profilit të lartë në një faltore, këtë herë në Shenjtëroren Kombëtare të Shën Gjon Palit II në Uashington.
Për shkak se ato ndodhën në një periudhë të ndezur trazirash sociale, kritikët e akuzuan ashpër Trumpin për ndjekjen e shembullit të udhëheqësve botërorë autoritarë, duke e përdorur qëllimisht besimin fetar për të forcuar imazhin e një lideri të fortë, që mbron një markë të veçantë të traditës kombëtare.
Peshkopja e Dioqezës Episkopale të Uashingtonit, Marian Bud e komentoi kështu përdorimin e Biblës nga Trump në Kishën e Shën Gjonit:”Një propagandë ose zgjatim i pozicionit të tij militarist dhe autoritar”. Si një studiuese, që ka studiuar për dekada ndërveprimin midis politikës dhe besimit fetar, unë e di se si feja mund të jetë një mjet i fuqishëm politik.
Një mjet i fuqishëm
Feja i jep kuptim jetës tonë, duke artikuluar vlera mbi atë se si lidhemi me njëri-tjetrin. Por ashtu siç mund të na bashkojë, feja mund të jetë në të njëjtën kohë edhe një burim ndarjeje, i përdorur kundër njerëzve “të tjerë’ që nuk janë të besimit tonë, apo që nuk ndajnë të njëjtat tradita dhe rituale me ne.
Kur njerëzit e perceptojnë se elementet tradicionale të strukturës shoqërore janë në rrezik, përdorimi i fesë përmes simboleve dhe imazheve të saj kryesore, mund t’i ndihmojë udhëheqësit autoritarët të çimentojnë pushtetin e tyre. Ata e paraqesin veten si mbrojtës të besimit, dhe njëherazi si armiq të çdo të huaji që kërcënon traditën.
Në Rusi, kjo dukuri është parë tek aleanca strategjike, që presidenti Vladimir Putin ka farkëtuar me Kishën Ortodokse Ruse. Nga ana e tij, Putin prezantohet jo vetëm si një udhëheqës i madh, por edhe si një rus fetarisht i devotshëm.
Për shembull kur shfaqet në media i zhveshur nga mesi e lart, kryqi i madh që mban në qafë është gjithmonë i dukshëm. Ndërkohë, Kisha promovon vlera tradicionale morale, dhe mban një distancë nga pjesa tjetër e bashkësisë kristiane ortodokse në mbarë botën, duke e ndarë kësisoj “rusin e vërtetë” nga të huajit.
Në bashkëpunimin e tyre më të fundit, Putin dhe Kisha propozuan ndryshime në kushtetutën ruse, me pretendimin se kjo mishëronte besimin e rusëve tek Zoti, ku njihet vetëm martesa midis një burri dhe një gruaje, duke theksuar se ato janë “arritja më e madhe e popullit rus në mbrojtje të atdheut”.
Këto ndryshime, që synojnë të forcojnë bazën e mbështetjes ndaj Putinit, patën edhe shtesa të tjera të mëdha me një frymë nacionaliste në kushtetutë. Putini përfiton nga kjo dinamikë e jashtme për të çuar përpara qëllimin e tij për shndërrimin e Rusisë sipas vizionit të tij, në të shkuarën e saj të lavdishme ekspansive.
Gjatë arsyetimit të pushtimit rus të Krimesë, Putin argumentoi se rajoni kishte një “rëndësi të shenjtë për Rusinë, sikurse është Mali i Tempullit në Jeruzalem për pasuesit e Islamit dhe Judaizmit”. Mbrojtja dhe zgjerimi i territorit rus, mund t’u shitet më lehtë rusëve dhe jo vetëm, nëse konsiderohet si një mbrojtje e të shenjtës.
Imazhet fetare
Ne shohim një dinamikë të ngjashme në Indi, ku qëndrimi në pushtet i kryeministrit Narendra Modi, mbështetet në pjesën më të madhe në përqafimin e tij të një versioni të nacionalizmit hindu, që lartëson hindutë si vendas dhe si “vërtetë indianë”, dhe i veçon myslimanët si të huaj.
Ashtu si Putini, edhe Modi e angazhon veten në imazhe fetare. Ai kryen vizita të profilit të lartë në tempuj të largët hindu, ndërsa nuk vesh kurrë rroba në ngjyrë të gjelbër, për shkak të lidhjes së kësaj ngjyre me Islamin. Nacionalizmi hindu i Modit, e çimenton popullaritetin e
tij në mesin e hindusëve të devotshëm, dhe krijon mbështetje publike për politikat anti-myslimane, sikurse është heqja e autonomisë për shtetin e vetëm me shumicë myslimane në Indi, dhe miratimin e një ligji të ri të diskutueshëm që i pengon emigrantët myslimanë të fitojnë nënshtetësinë indiane.
Trump si “shpëtimtar”
Trump është përpjekur ta portretizojë veten si një politikan fetarisht të devotshëm, duke mos pranuar të përmendë një fragment të preferuar nga Bibla, dhe duke deklaruar se ai nuk i ka kërkuar kurrë falje Zotit për mëkatet e tij.
Gjithsesi, sondazhet e opinionit publik kanë treguar në vijimësi se të krishterët e bardhë, përbëjnë thelbin e bazës elektorale të Trumpit, edhe pse kohët e fundit ka shenja të një rënie të ndjeshme të mbështetjes edhe tek ky grupim.
Dhe ndërsa është e rëndësishme të theksohet se shumë të krishterë të bardhë nuk e mbështesin Trumpin, 29 për qind e ungjillorëve shkojnë aq larg sa të thonë se besojnë se ai është i mirosur nga Zoti. Aty ku Trumpi ka sukses, është prezantimi i vetes si një nacionalist të krishterë, aq sa edhe Putini dhe Modi si mbrojtës të rreptë të feve dominuese të vendeve të tyre.
Një mënyrë përmes së cilës Trump e arrin këtë qëllim, është duke bërë deklarata të tilla si kjo në fillim të fushatës në fillim të këtij viti:”Ne do të korrim një tjetër fitore monumentale për besimin dhe familjen, për Zotin dhe vendin, flamurin dhe lirinë”.
Në librin e tyre të ri “Taking America Return for God”, sociologët Endrju Uajthed dhe Samuel Perri pohojnë se shumë prej përkrahësve të krishterë të bardhë të Trumpit, e shohin atë si shpëtimtarin e shumëpritur të tyre – dhe jo vetëm si mbrojtësin e fesë tradicionale, por edhe mbrojtësin e një mënyre jetese.
Në atë të kaluar imagjinare, të bardhët sundonin, familjet shkonin në kishë çdo të diel, dhe të “jashtmit” e dinin vendin e tyre. Një dëshirë me rrënjë të thella për një rikthim në atë të kaluar, mund të ketë qenë arsyeja pse slogani i “Ta bëjmë Amerikën sërish të madh” i Trump është dëshmuar kaq i fuqishëm.
Siç ka argumentuar studiuesi i Universitetit të Jeilit, Filip Gorski, kjo frazë mund të interpretohet se nënkupton “bërjen sërish sundues në aspektin kulturor të krishterimit të bardhë”. Si i tillë, ne nuk duhet të habitemi pse në krizën aktuale, Trump po përpiqet ta përdorë fenë për të forcuar dallimet midis mbështetësve të tij dhe kundërshtarëve të tij.
Ashtu si Putin, edhe ai po shfaqet si mbrojtës i një versioni të veçantë të një të kaluare të lavdishme. Dhe duke kopjuar Modin, ai po e bën këtë duke krijuar mbështetje përmes denigrimit të të huajve.
Shënim: Laura R. Olson, është profesore e shkencave politike në Universitetin Klemson
“The Conversation” – Bota.al