Superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, është një fitues i lindur, natyral, që ka dëshmuar se nuk i pëlqen “zona e rehatisë” gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer. Kështu shprehet Abel Xavier. Që nga vajtja te Manchester United si një “adoleshent” i talentuar, Ronaldo ka fituar çmimet më të mëdha kolektive dhe individuale në futbollin botëror. Në gjashtë vite me “Djajtë e Kuq”, Ronaldo fitoi tre tituj të Premier League, dy EFL Cup”, një “FA Cup” dhe Champions-in më 2008. Kjo traditë e fitoreve vazhdoi gjatë nëntë sezoneve tepër produktive me Real Madridin, periudhë gjatë së cilës u bë kryegolashënuesi i të gjitha kohërave të “Los Blancos”. Atje fitoi dy tituj të La Liga-s, dy Kupa të Mbretit dhe katër Liga Kampionesh. Ronaldo zgjodhi të largohej nga “Bernabeu” për Juventusin përpara sezonit 2018-2019 dhe ka fituar titullin e Serie A dhe Superkupën e Italisë. Një tjetër titull me Juven shfaqet në horizont, teksa bardhezinjtë janë katër pikë përpara Lazionë renditje, me 10 ndeshje të mbetura.
Ish-lojtari i Liverpool dhe Romës, Xavier, thotë se Ronaldo e ka motivuar veten duke ndërmarrë sfida të ndryshme në karrierë, ndaj ka qenë i suksesshëm kudo që ka luajtur: “Ai është një fitues i lindur, përqendrimi i tij mendor është i shkëlqyeshëm. Ju e kuptoni që ai nuk e pëlqen zonën e rehatisë. Ronaldo ishte në Madrid dhe fitoi; e bëri këtë edhe te Manchester United. Po fiton edhe te Juventusi. Kudo ku shkon, ai do të fitojë, individualisht dhe kolektivisht. Sigurisht, do të arrijë një moment kur nuk do të jetë në gjendje të prodhojë të njëjtin stil futbolli, por ama zonën e rehatisë nuk e kërkon dhe pëlqen. Cilësitë e tij tani janë më shumë të një finalizuesi, duke qenë në vendin e duhur. Për mua, si një portugez dhe për të gjithë njerëzit që e duan futbollin, ai vetëm admirohet. Ronaldo është një lojtar i shkëlqyeshëm, një njeri dhe shok i mrekullueshëm”.