Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marr vendim që të rihapet kufiri me Shqipërinë dhe heqjen e masave të lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, porse për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore. “Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKSHP-në ka konstatuar situatë të qëndrueshme por me rritje të lehtë të rasteve me COVID-19. Duhet ta kemi të qartë se virusi është ende aktiv”, ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se pas analizës së bërë IKSHPK-ja ka rekomanduar ndryshim të masave shtesë. “Kontrollin e detajuar mjekësor të të gjithë qytetarëve që hyjnë në Kosovë. Që nga dita e hënë propozoj që qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetëizolimit dhe në vend të testimit për ata që hyjnë do të jetë kontrolli i detajuar. Më lejoni të ju njoftoj që nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 05:00 deri në ora 21:00. Kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka propozuar që të fillohen konsultimet për hapjen e fluturimeve. “Në këtë pjesë, mendoj se edhe hapja e fluturimeve është mjaftë e rëndësishme. Prandaj me lejen e juaj do të kisha filluar konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil me MSH-në dhe kompanitë ajrore që të rifillojnë fluturimet duke zbatuar masat ndaj COVID-19 në mënyrë që të marrim një miratim”, tha ai. Veç kësaj, nga dita e hënë largohen të gjitha masat tjera të vendosura më parë, duke përfshirë lirinë e qarkullimit dhe rikthimi në normalitet. Më 14 mars ishte mbyllur kufiri Kosovë-Shqipëri shkaku i përhapjes së virusit COVID-19.