Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pasi Kuvendi votoi sot me 61 vota pro qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hoti. Me një shënim në facebook, ndërsa i uron suksese qeverisë së re, Thaçi e konsideron të sotmen “ditë të rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit”.
Postimi i plotë: I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike. (TemA)