Qeveria shqiptare do t’i drejtohet tregjeve ndërkombëtare financiare me një Eurobond prej 650 milionë eurosh. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pranishme në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë deklaroi se eurobondi do të jetë me maturim 7 deri 10 vite. Sipas saj, financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të shlyer (rifinancuar) eurobondin e marrë në vitin 2015 dhe për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.
“Janë organizuar një sërë takimesh me bankat/institucionet ndërkombëtare për të marrë informacion mbi mundësitë dhe kushtet e emetimit të një eurobondi në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2020. Nga vlerësimet paraprake të bankave ndërkombëtare kjo para situatës së përhapjes së COVID-19 në Europë dhe në vendin tonë, pritej që Eurobondi i ri të emetohej me një normë interesi më të favorshme se ajo e emetimit pararendës. Por ndërkohë me përhapjen e sëmundjes dhe shpalljen e pandemisë, tregjet ndërkombëtare të kapitalit u ndikuan nga situata e cila reflektoi një nivel të lartë luhatshmërie dhe pasigurie në normat e interesit, të cilat çdo ditë dhe javë pësojnë luhatje”, është shprehur ministrja.
Kjo është hera e katërt që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobond. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7,5%) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondet e mëpasshme dhe të cilat janë ende aktive (të pashlyera plotësisht) janë Eurobondi i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4,75%, Eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3,5%.