Qeveria ka miratuar fondin për ndërtimin dhe rregullimin e banesave individuale dhe pallateve në bashkitë e Kamzës dhe Kavajës. Janë pesëqind e dhjetë milionë e dyqind e dyzet mijë lekë që do përdoren për rindërtimet pas tërmetit të vitit të kaluar.

Në vendimin e Qeverisë thuhet se efekti financiar sipas pikës 1 të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Kamzë dhe Kavajë, sipas detajimit të mëposhtëm:

Kështu, Bashkisë Kamzë i transferohet fondi prej 163 890 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e tetëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar; Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 346 350 000 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Kavajë për zbatimin e këtij vendimi. Një ditë më parë u shpërnda granti për banesat individuale të dëmtuara në zonën e Shijakut.