Kryeministri Edi Rama tha në fund të takimit me opozitës parlamentare se nuk u arrit dakordësia për reformën zgjedhore. Rama theksoi se i kupton përfaqësuesit e opozitës parlamentare, që ndjehen të përjashtuar dhe të fyer nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre.
Mes të tjerash, kryeministri theksoi se në tryezën e diskutimit përfaqësuesit e opozitës parlamentare kanë hedhur akuza se ka tentativa për blerjen e tyre si nga opozita jashtëparlamentare, ashtu edhe nga qeveria.
“Natyrisht nuk gjetëm dakordësi. Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ta që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie”, tha Rama.