Përfaqësuesi i PS-së në Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri ka folur pas përfundimit të mbledhjes të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Gjiknuri tha se po diskutohet për funksionimin e KQZ-së, ndërsa shtoi se nesër përmbyllet përfundimisht ligji zgjedhor.

Deklarata e Damian Gjiknurit pas mbledhjes së tryezës së grupit negociator të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore: U dakordësuan të gjitha proceset që lidhen me identifikimin elektronik, kompetencat e zëvendëskomisionerit për këtë proces, çështjet e financimit të zgjedhjeve u dakordësuan dispozitat që kishin pregatitur ekspertët, angazhimi që ka marrë qeveria për të dyfishuar fondin publik për fushatën zgjedhore, si dhe rënia dakord e raportit të financimit 1:3, pra të financimit publik me atë privat. Nesër do të vazhdojmë mbledhjen në orën 17:00 shpresojmë për të përfunduar të gjitha amendimet e Kodit Zgjedhor.

Pyetje: Çfarë çështjesh të tjera ka pa dakordësuar? Përgjigje: Po ka akoma çështje, siç është pjesa e KQZ dhe disa elemente që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe PD donte pak më tepër kohë për të ardhur me disa formulime. Pyetje: Për çfarë nuk bini dakord për KQZ, z.Gjiknuri? Përgjigje: Jo, nuk kemi pasur diskutim, besoj dhe shpresoj që nesër, pasi është dhe në interesin e PD-së dhe të gjitha palëve, që nesër ta mbyllim ligjin zgjedhor përfundimisht. Draftet janë, ju i keni marrë, ka akoma disa pika për tu diskutuar, ata thanë se kërkonin më tepër kohë për tu konsultuar me ekspertët e tyre dhe ne shpresojmë që ata do të vijnë nesër me dispozitat përfundimtare. Faleminderit!