Në Konispol filluan punimet e projektit me vlerë mbi 10 milionë dollarë për rehabilitimin e ujëmbledhësit të Janjarit, së bashku me rrjetin e kanalizimeve të vaditjes. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, bashkë me deputetët socialistë të kësaj zone Damian Gjiknuri dhe Alket Hyseni ndoqën sot nga afër nisjen e punimeve. Ndërsa e Konsideroi si vepër ambicioze, Çuçi u shpreh se “është një investim i qeverisë shqiptare me kredi të BB, një nga investimet më të mëdha në vepra të tilla”. “Është një nga veprat më të mëdha. Ne sigurisht që vazhdojmë të lëshojmë ujë në çdo parcelë dhe sistemi i Janjarit me këtë kapacitetet ujitës do të mbuloj përfundimisht ujitjen në fushat e kësaj zone”, tha Çuçi.
Ai theksoi se është projekt shumë ambicioz dhe shoqërohet edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore. “Janë 100 km kanale që do të rehabilitohen nga projekti”, tha ai. Ndërsa deputeti i PS, Damian Gjiknuri tha se “kjo ka qenë një nga kërkesat themelore të banorëve të kësaj zone”. “Kjo është një nga zonat më prodhimtare dhe punëtore. Me këtë vepër rritet kapaciteti prodhues, ulen kostot, rritet sipërfaqja e ujitjes dhe do jetë një stimul shumë i madh për ekonominë vendase dhe atë kombëtare. Është një premtim i mbajtur i qeverisë”, tha ai.