I dërguari i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, sa herë që është kritikuar nga zyrtar të Brukselit rreth punës së negociatave Prishtinë-Beograd, u ka rikujtuar atyre faktin që BE e ka lënë Kosovën si të vetmin shtet të izoluar, pa liberalizim të vizave. Pak ditë pas kritikave të Grenell, një grup euro-parlamentarësh, të prirë nga Viola von Cramon Taubadel, i kanë shkruar letër kancelares gjermane, Angela Merkel, ku i kanë kërkuar që Gjermania të përmbyllë brenda vitit 2020 punën e vizave për Kosovën, meqë Berlini zyrtar do të udhëheqë Presidencën e BE-së në pjesën e dytë të vitit.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime. Ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë udhëheqjen”, ka shkruar Grenell në rrjetin social Twitter. Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Evropian që nga 1 korriku. Deputetët kanë thënë në letrën dërguar Merkelit se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE-së që të përmbush pjesën e saj të obligimit.

Kjo nuk është hera e parë që Grenell flet për nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian. Më 20 qershor ai gjatë një shkëmbimi të mesazheve në Twitter me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon pati kërkuar që ajo të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të koncentrohet në liberalizimin e vizave.

“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, kishte shkruar Grenell. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe presin që edhe BE-ja tash të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.