Nëntëdhjetë e një ditë pas mbylljes, që nga mesnata janë rihapur kufijtë në zonën Shengen të kontinentit europian. Këtë herë gjithçka po ndodh në një mënyrë të koordinuar në krahasim me mbylljet e nxituara të mesit të marsit në kohën e shpërthimit të pandemisë Covid-19. Gjermania, Franca, Belgjika, Hollanda, Luksemburgu, Zvicra dhe Greqia nga sot kanë hequr kontrollet në kufijtë e brendshëm të Evropës.
Disa vende, si Spanja, Danimarika dhe Portugalia ende nuk kanë hequr plotësisht kufizimet. Nga sot Greqia ka vendosur të hapë kufijtë e saj për evropianët por europianët do të duhet të përballen me proven e testit, dhe në rastin e rezultatit pozitiv, me karantinën. Turistët dhe udhëtarët nga Amerika Latine, Lindja e Mesme apo Shtetet e Bashkuara do të duhet të presin akoma për të hyrë në Europë.
Në rastin e Shteteve të Bashkuara, Trump tha se rihapja e kufijve të Sh.B.A varet nga koncepti i reciprocitetit. Po si qëndron puna me vendet jo anëtare të BE, ato të Ballkanit? Komisioni Europian u ka rekomanduar vendeve anëtare që nga 1 korriku, në varësi të zhvillimit të pandemisë, të heqë kufizimet e udhëtimit me vende, situata epidemiologjike e të cilave i përgjigjet mesatares së BE dhe ku ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar virusin.
Në fillim në këtë listë të heqjes së kufizimeve do të duhet të qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Bosnja. Kufijtë e brendshëm të BE hapen gati plotësisht. Ndërkohë vendet e BE kanë filluar ndërkohë me hapjen e kufijve të brendshëm. Marrëveshja e Shengenit është një traktat i cili ka çuar në krijimin e një zone evropiane ku kryesisht janë hequr kontrollet e kufijve të brendshëm. Ajo është nënshkruar në 14 qershor 1985, afër qytetit të Shengenit (Luksemburg), prej pesë nga dhjetë shtetet anëtare të Komunitetit Ekonomik të atëhershëm Evropian.