Rruga e Arbrit është një vepër inxhinierike komplekse, e cila do të bëhet realitet pas dhjetëra e dhjetëra vitesh pritje e premtime brenda verës së vitit 2021. Duke publikuar pamje nga punimet në këtë rrugë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “tashmë Rruga e Arbrit po merr formë”.

“Mirëmëngjes me të rejat nga Rruga e Arbrit që po merr formë. Dibra që duam për Shqipërinë që duam”, tha Rama.

Punimet në rrugën e Arbrit po avancojnë me asfaltimin e segmentit 3, ura e Brarit dalja e tunelit të Murrizit. Brenda muajit do të asfaltohen 10 km e para. 500 punonjës dhe mbi 200 mjete të tonazhit të rëndë janë angazhuar në proces dhe rruga pritet të jetë e aksesueshme brenda verës së vitit 2021.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit me një gjatësi rreth 74 km, do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave Kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm i Lindje-Perëndimit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet. Gjithashtu ky aks rrugor do te jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.