Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur Panajot Boga.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur, mikut tim të hershëm dhe të çmuar Panajot Boga. Profesor Boga është një ndër themeluesit e shërbimit mjekësor shqiptar, krijues dhe drejtues jetëgjatë i shërbimit të ortopedisë, profesor i dhjetra brezave të studentëve, një sintezë e vlerave më të mira të personalitetit dhe njeriut të dashur, mjekut të ditur, duarartë, të përkushtuar e të palodhur, që shërbeu deri në ditët e fundit të jetë me profesionalizëm dhe humanizëm të pashoq.
Profesor Panajot Boga do të jetojë në kujtesën dhe mirënjohjen e mijra studentëve, dhjetra-mijra pacientëve dhe të gjithë shqiptarëve, të cilëve u shërbeu me bisturinë, kurajon dhe fjalën e ëmbël. Lamtumirë, Profesor Panajot Boga!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur Panajot Boga.