Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Kryetarin e Dhomës, Fico, dhe Kryetaren e Senatit, Casellati, me rastin e Festës së Republikës Italiane: Italia, mike e çmuar, partner strategjik

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një letër urimi Kryetarint e Dhomës së Depurtëve, z. Roberto Fico, dhe Kryetares së Senatit, znj. Maria Casellati, me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane.

“Me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane, Ju dërgoj urimet më të mira për popullin e Italisë, Senatin Italian dhe Ju personalisht.
Vendosja e Republikës Italiane me votat e qytetarëve italianë, si rezultat i Referendumit të 2 qershorit 1946, në të cilin për herë të parë votuan edhe gratë, është një ngjarje e madhe historike për sistemin demokratik, emancipimin politik e shoqëror të Italinë si edhe të ardhmen e popullit Italian.

Italia është për Shqipërinë një vend fqinj, mik i çmuar dhe partner strategjik shumë i rëndësishëm.

Vendet tona i lidh një miqësi e gjatë, e cila u ka rezistuar të gjitha sprovave të historisë. Italia ka qenë për ne, shqiptarët, dritarja prej nga shihnim Perëndimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Miqësia e fortë midis të dy vendeve tona ushqehet edhe nga prezenca e Diasporës shqiptare, komunitetit arbëresh dhe emigrantëve që u vendosën në Itali pas vitit 1990.
Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për mbështetjen e vazhdueshme, kontributin shumë të madh dhe rolin e saj si avokatja e integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian në mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Qeverisë së Italisë, Senatit Italian dhe Tuajës personalisht.

Gjatë muajve të fundit Italia, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë njerëzimi, vuajti pasojat e pandemisë, të cilat për popullin italian ishim ndër më të rëndat. Ne ndoqëm nga afër betejën e mjekëve, popullit dhe institucioneve italiane për të shpëtuar jetët njerëzore dhe tashmë gëzohemi që Italia po del nga kjo situatë dhe po ikthehet gradualisht normalitetit.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve e Senatit të Italisë, do të rifillojë shumë shpejt dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare Tuajën në Shqipëri.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në urimin e tij për Kryetarin e Dhomës, Fico, dhe Kryetaren e Senatit, Casellati, me rastin e Festës së Republikës Italiane