Juventusi barazon pa gola me Milanin dhe fluturon në finalen e Kupës së Italisë. Maurizio Sarri buzëqesh. Menjëherë pas ndalimit të detyruar të Covid-19, kalon me sukses hapin e parë dhe të rëndësishëm sezonal. Trajneri i Juventusit analizoi ndeshjen me kuqezinjtë:
“Pas 3 muajsh pushim, rikthimi në stol dhe të shohësh skuadrat në fushë është një ndjenjë e mirë. Na mungon mbështetja e tifozëve, por në këto kushte nuk është e lehtë për askënd. Jam shumë i kënaqur me 30 minutat e para. Ne po luanim në 25 metrat e fundit të kundërshtarit, pastaj humbëm ritmin dhe kthjelltësinë. Sidoqoftë, nuk i lejuam asgjë Milanit”.
Fillimi pas kaq ditësh pasivitet nuk është i lehtë: “Lojtarët ishin ngujuar në divan për 70 ditë, kthimi i tyre në efikasitet të plotë fizik dhe mendor nuk është automatik. Ishte shumë më keq sesa një situatë para sezonit”. Cristiano Ronaldo veproi si qendërsulmues: “Unë ia kërkova këtë sakrificë, që të luante më qendror. Ai bëri shumë mirë si të gjithë në 30 minutat e para, pastaj vuajti më shumë. Ronaldo tregoi lojën që mund të bëjë tani. Ai nuk është mësuar të bëjë gabime, por kjo situatë është e vështirë për cilindo”.
Sarri, në pjesën e dytë, futi në të njëjtën kohë Bernardeschi, Khedira dhe Rabiot: “Unë bëra një mu*, me mundësinë e kryerjes së 5 zëvendësimeve u rrëmbeva nga entuziasmi. Kryerja e 3 zëvendësimeve të menjëhershme mbart rrezikun e zhbalancimit të ekipit. Unë duhej t’i shpërndaja ato zëvendësime”. Fjalë të ëmbla ka për Douglas Costa: “Edhe kur e zëvebndësova m’u duk sikur ishte më i freskët se të tjerët. Ishte më shumë një zëvendësim frike, që të mos e shtrydhja fizikisht. Ai strërvitet prej një muaji, ka pasur vazhdimësi të mirë dhe po rritet. Mund të bëjë ndryshimin”.
Juve pret të mërkurën Napolin ose Interin në “Olimpico”, në finalen e Kupës së Italisë: “Gjëja e rëndësishme është që shkuam në finale. Napoli ka faktorin e fushës, edhe pse pa audiencë, dhe një avantazh të vogël në gjysmëfinalen e kthimit. Rezultati duket se është në favor të “azzurri”, por në realitet është akoma në ekuilibër”.