Rezultatet e anketimeve të biznesit shihen me vëmendje nga ana e qeverisë për të adresuar çdo shqetësim të ngritur prej tyre, ndërsa edhe në planin e investimeve ka në fokus të veçantë propozimet e ardhura nga komuniteti i biznesit.
I ftuar sot në konferencën për klimën e biznesit, ku Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi indeksin e biznesit për vitin 2019, ministri Shalsi theksoi se po investojmë duke ndjekur rezultatet e anketimeve që bëhen për biznesin, ndërsa çdo shqetësim që sipërmarrjet adresojnë jo vetëm pranë institucionit të ministrisë, por edhe në institucione të tjera, ndiqet hap pas hapi deri në zgjidhjen e tij.
Për të lehtësuar komunikimin me administratën Shalsi informoi se është ngritur platforma e re e sistemit të gjurmueshmërisë, ku biznesi ndjek ecurinë e zgjidhjes së problemeve të ngritura.
“Ka një reduktim të ankesave dhe janë pothuajse në nivelin minimal, sepse kemi ndërtuar një platformë me një sistem gjurmueshmërie duke i dhënë mundësi subjektit të dijë në çfarë hallke gjendet shqetësimi i tij. Natyrisht sistemi ka nevojë të përmirësohet. Gjithashtu nëpërmjet rrjetit të koordinatorëve të biznesit pranë çdo institucioni shtetëror kemi ndërtuar një sistem dëgjese si kurrë më parë”, tha ministri Shalsi.
Gjithashtu Shalsi theksoi edhe rëndësinë e kalimit të shërbimeve në sistemin online.
“Gjatë këtij viti pritet që të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët dhe sidomos për bizneset të kalojnë online. Përveç shmangies së burokracive dhe vonesave, kjo na ka ndihmuar duke na nxjerrë edhe me mirë defeket institucionale. Deri në fund të vitit synojmë që 90% e aplikimeve të realizohen online”, u shpreh ministri Shalsi.
“Mirëpresim çdo sugjerim dhe diskutim nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për përmirësimin e klimës së investimeve, dhe sidomos në raport me SHBA”, u ministri Shalsi.