Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se pandemia me koronavirus “nuk është as afër fundit” teksa numri i rasteve të prekura me këtë virus, ka kaluar shifrën 10 milionë, ndërkohë që janë raportuar mbi 500,000 viktima.
“Ndonëse shumë shtete kanë shënuar përparim në nivel global, ritmi i pandemisë është duke u përshpejtuar”, ka thënë Tedros përgjatë një fjalimi për media, duke shtuar se bota do të ketë nevojë “për më shumë durim dhe zemërgjerësi në muajt vijues”.
Tedros po ashtu ka thënë se pandemia ka vënë në pah më të mirën dhe më të keqen e njerëzimit, duke cituar aktet e solidaritetit, por edhe ato të dezinformatave dhe tentimeve për politizim të koronavirusit.
Këto komente kanë ardhur një ditë pasi OBSH-ja ka raportuar për një tjetër rekord të ri të numrit të të prekurve me koronavirus në 24 orë, 189,000, shkruan REL. Gjashtë muaj pas rasteve të para të raportuara me koronavirus në Kinë, disa shtete kanë rihapur ekonominë, derisa është duke u punuar edhe në gjetjen e vaksinës kundër sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.