Në Shirokë të Shkodrës, është ngritur qendra e ankandit për tregtimin e peshkut, e para e këtij lloji në vendin tonë. Kjo pikë grumbullimi e licencuar synon të rrisë cilësinë e tregtimit dhe i vjen në ndihmë 210 subjekteve në këtë zonë, të cilët tregtojnë kryesisht peshkun krap, që zihet në liqenin e Shkodrës. Qendra e ankandit të tregtimit të peshkut në Shirokë është një bashkëinvestim prej 43 milionë lekë i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me Organizatën e Peshkimit Shkodër.

Arjan Cinari drejtor i organizatës së peshimit Shkodër, u shpreh se qendra i vjen në ndihmë tregtarëve për shitjen e peshkut në standarde bashkëkohore dhe eliminon abuzimet me çmimet. Gjatë një interviste televizive ai tha se, kapaciteti në këtë qendër është mbi 5 tonë peshk por mesatarja e krapit të zënë në Shirokë, aktualisht është rreth 2 tonë në muaj.

Sipas tij, çmimi fillestar përcaktohet sipas kërkesë-ofertës, që do të thotë se çmimi ndryshon çdo ditë dhe në varësi të llojit të peshkut ka çmime të ndryshme. Brenda në këtë qendër është edhe dyqani i shitjes me pakicë, që është një tjetër lehtësi për qytetarët dhe i shërben formalizimit të këtij tregu. Cinari, u shpreh se në dy javët para të funksionimit të kësaj qendre, shitjet po vijojnë me ritme të kënaqshme dhe procedurë transparente.