Shkarkimi i Ardian Dvoranit nga KLGJ javën e shkuar fut në ngërç sërish gjykatën e larte e cila prej kësaj të hëne është pa drejtues dhe përfaqësues titullar me institucionet e reja të drejtësisë dhe palët e treta. Dvorani pas shkarkimit të ish kryetarit Xhezair Zaganjori ishte caktuar nga KLGJ si zv.kryetar i gjykatës së lartë, por me shkarkimin e Dvoranit KLGJ nuk u shpreh se kush do e drejtoj gjykatën më të rëndësishme në vend.
ReportTv është interesuar pranë gjykatës së lartë ku rezulton se Dvorani nuk është paraqitur në zyrë por kompetencat e zv.kryetarit aktualisht nuk ushtrohen nga askush dhe pak veprime financiare për mos bllokuar institucionin i kryen kancelari.
Sipas legjislacionit në fuqi ligji 96/2016 për statusin e gjyqtarit për tu emëruar kryetar në gjykatën e lartë duhet së paku të kesh eksperiencë tre vjeçare në këtë gjykatë, por aktualisht as Sokol Sadushi as Ervin Pupe dhe Ilir Panda nuk e kanë këtë eksperiencë. Ata janë gjyqtarë të lartë prej më pak se dy muaj të zgjedhur nga KLGJ teksa në krye të kësaj gjykate ishte ende Dvorani i njohur për përplasjet e tij publike me Presidentin Ilir Meta.
‘’Kriteret dhe rregullat e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Lartë janë parashikuar në ligjin nr.96/2016 për statusin e gjyqtarëve. Por, përveç Dvoranit, asnjë nga tre gjyqtarët e rinj nuk i plotëson kushtet e pikës 2 të nenit 51 të këtij ligji sepse duhet të kishin qenë së paku 3 vjet gjyqtarë të Gjykatës së Lartë’’.
Neni 51, pika 2
Kryetari i Gjykatës së lartë përzgjidhet nga mbledhja e gjyqtarëve ku sipas pikës 3 dhe 7 të nenit 51 të këtij ligji, kryetari zgjidhet nga mbledhja e 19 gjyqtarëve e cila për të qenë e vlefshme do një minimum prej 10 gjyqtarësh. Por aktualisht kjo gjykatë ka vetëm 3 gjyqtarë.
Në mungesë të kryetarit gjykata e lartë mund të drejtohet nga zv.kryetari, por nga ana tjetër ligj 98/2016 për pushtetin gjyqësor parashikon disa rregulla se si mund të zgjidhet zëvendëskryetari i një gjykate që përfshin edhe rastin e Gjykatës së lartë.
Në pikën 3 të nenit 26 të këtij ligji është caktuar si kriter për tu zgjedhur zëvendëskryetar që gjyqtari të ketë 5 vjet në përvojë profesionale si gjyqtar nga të cilat 3 vjet në të njëjtën gjykatë. Këtë kusht nuk e plotëson asnjëri nga 3 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti me propozimin e KLGJ.
Neni 26 pika 3
E në rast se zv.kryetari do të zgjidhej nga mbledhja e gjyqtarëve të gjykatës së lartë, atëherë ligji kërkon që nga 19 gjyqtarë të jenë në detyrë 13 gjyqtarë por aktualisht janë vetëm 3 dhe mungojnë 10.
Me largimin e Dvoranit, KLGJ e cila zgjidhi problemin e mbajtjes së një posti përtej mandatit të mbaruar duket se ka krijuar një situatë ku ligji pamundëson zgjedhjen e një drejtuesi për gjykatën e lartë. E deri sa KLGJ të gjej një zgjidhje, çelësat e gjykatës së lartë duket se do të mbeten në dorën e kancelarit duke sjellë rastin unikal ku gjyqtarët drejtohen nga një kancelar.