Deputeti i PS dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, në një intervistë për ABC news, ka folur në lidhje me opinionet e Komisionit të Venecias për shkarkimin e presidentit Meta. Manja u shpreh se do të administrohet edhe opinioni i dytë dhe do të ketë një diskutim shterues në Komisionin Hetimor për të dy opinionet e Komisionit të Venecias për këtë çështje.
“Sigurisht që do të reflektojmë sa të jetë e mundur të gjitha sugjerimet e Komisionit të Venecias. Nëse ne do të çmojmë që ka nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, do të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Por ne do ta peshojmë mirë politikisht një gjë të tillë.
Është një dekret që ka të bëjë me kthimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, aty ku kemi parashikuar një formulë që ka të bëjë me betimin, si dhe një ndërhyrje që ka të bëjë me trajtimin financiar të SPAK. Po ashtu, është dhe një dekret tjetër që ktheu pas ndryshimet ligjore për një mekanizëm zhbllokimi për betimin e Gjyqtarëve Kushtetues. Edhe gjatë shqyrtimit të këtyre dy dekreteve ne do të marrim në konsideratë dhe do të analizojmë me gjithë vëmendjen e duhur opinionet e Komisionit të Venecias”, tha më tej Manja.