Bypass-i i Vlorës po merr çdo ditë e më shumë formë, duke u kthyer në një realitet, i cili shumë shpejt do jetë i prekshëm për të gjithë. Në kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të asfaltit dhe deri në fund të muajit korrik 11,5 kilometra të këtij aksi do të jenë të asfaltuara. Paralelisht po vijon puna me ritme të larta edhe në pjesën tjetër të këtij segmenti, përfshi edhe ndërtimin e veprave të artit.
Ambasadori i Bashkimit Europian, në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës. “Bashkimi Europian është krenar që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës me një grant prej 20 milionë eurosh dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane për Investim prej 18 milionë eurosh kredi secila. Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën, dhe cilësia e jetës në Vlorë do të përmirësohet më tej”, deklaroi ambasadori Soreca.