Kryeministri Rama njofton të gjithë qytetarët që kanë marrë gjobë nga autoritetet greke për shkeljen e afatit të qëndrimit gjatë pandemisë së covid-19, se do t’ju rimbursohen lekët.
“Të gjithë qytetarët që disponojnë dokumentin e pagesës së gjobës së autoriteteve greke për shkak të kalimit të afatit të qëndrimit në Greqi, janë të lutur të aplikojnë për rimbursimin”, shkruan Rama dhe vë në dispozicion linkun e mëposhtëm ku mund të aplikoni.
“Si rezultat i mirëkuptimit të qeverisë greke dhe angazhimit personal të kryeministrit Mitzotakis, shqiptarët me leje të përkohshme qëndrimi nuk u penalizuan masivisht për shkeljen e pavullnetshme të afateve.
Por sidoqoftë është verifikuar një numër i kufizuar rastesh kur janë vendosur gjoba dhe siç jam zotuar ato do të rimbursohen nga shteti shqiptar.Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, përmbyll njoftimin e tij kryeministri Rama.