Përherë e më shumë qytetarët po rikthehen tek biçikletat, por bashkë me këtë trend po shënohen veç rritjes së çmimit të tyre edhe rritja e shifrave të aksidente dhe vjedhjeve të dyrrotakut. Mes dhjetra denoncimeve të dorëzuara muajt e fundit, viktimë e hajdutëve ka rënë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi në Bashkinë e Tiranës.Erindi Bejko, sipas burimeve të gazetës Si, e dorëzoi kallzimin gjatë javës që lamë pas në policinë qëndrore. Zyrtarit ja prishi qetësinë një hajdut, që mendohet të jetë në moshë të mitur, tha burimi që është vënë në kërkim të rrëmbyesit të biçikletës.
“Kam në pronësi një biçikletë të markës Ideal, me ngjyrë të zezë, kalibri 28. Këtë biçikletë e kam blerë në Pogradec për shumën e 450 eurove”, i shpjegon policisë zyrtari i Bashkisë. Më tej zyrtari këmbëngul se e siguroi biçikletën duke e lidhur në kangjellat e shkallëve. “Kur dola në mëngjes pashë që biçikleta nuk ishte aty. Pashë kamerat dhe vërejta që aty rreth orës 3.47 të mëngjesit, një person i moshës së mitur heq shalën e bicikletës dhe me atë këput kavon”, jep detaje më tej në polici Bejko.
“Po ta shoh e njoh biçikletën”
Ervin Sinani është një tjetër qytetar që i është drejtuar policisë në të njëjtën ditë dhe shkak u bë vjedhja e biçikletës.
21-vjeçari zbriti për të pirë kafe në lagjen ku jeton pranë uzinës Dinamo. “E parkova biçikletën në hyrje të lokalit dhe u ula . Një moment ktheva kokën dhe pashë që biçikleta u zhduk”, pohon denoncuesi , i cili tregon se nëse e has diku ai e njeh biçikletën e tij.
Policia tregon se pyeti fëmijët që po luanin në lagje në momentin kur ndodhi ngjarja. Njëri prej tyre shpjegoi se një djalë i ri me shenjë në faqe po pedalonte me shpejtësi.
“Për pak më përplasi ndaj dhe më kërkoi falje. Aty pashë një shenjë në faqe, e kishte si të çarë” përshkruhet në dëshminë e fëmijës.
Rikthimi tek biçikleta dhe hajdutët
Por, një efektiv rendi këmbëngul se vjedhjet e biçikletave kanë qenë përherë problem për policinë. “Ne po vërejmë se veç denoncimeve të shumta me këtë objekt, problem për të cilin duhet të nisë sensibilizimi është mbi kujdesin në rrugë gjatë pedalimit të dyrrotakut”, thotë efektivi.
Aksidenti më i fundit i njoftuar zyrtarisht nga policia u dha një ditë më parë. Një dhjetëvjeçar u përplas teksa po pedalonte me biçikletë në Kamëz, ngjarje që tre muajt e fundit po raportohen rëndom. Por, ndonëse u paralajmërua se policia do të niste me gjobitjen e bicikletistëve, ende nuk ka një plan të qartë se si mund të parandalohen aksidente të tilla që po kthehen në shqetësim.(gazetaSI)