Rastet e reja brenda 24 orëve nuk është brenda pritshmërive, por një situatë për t’u shqetësuar, thotë Doktoreshë Najada Çomo, e cila përsërit apelin për respektimin e masave.

Ministria e Shëndetësisë iu është rikthyer fushatave sensibilizuese të qytetarëve për COVID-in, dhe kësaj herë është pikërisht Shefja e spitalit Infektiv në QSUT, Najada Çomo e cila bën thirrje që të respektohen masat, në të kundërtën, parashikon që numri i të prekurve do të shtohet shumë. Ajo thekson, se në betejën me këtë virus, maska është arma e vetme dhe më e mirë.

”Numri i pacientëve të shtruar në shërbim ka ardhur duke u shtuar. Dua të tërheq vëmendjen se një pjesë e madhe e të shtruarve tek Infektivi janë në gjendje të rënduar, një pjesë në terapi intensive. Ajo që dua të thekson është se qytetarë të nderuar, është situatë për t’u shqetësuar nga ana shëndetësore për shëndetin tuaj. Jemi në krye të detyrës për t’ju shërbyer sigurisht. Por keni një detyrim madhor. Të qëndroni sa më larg të sëmurëve, që kanë sëmurë të tjerë. Ulni në maksimum qëndrimin në vende publike, si dhe maska është e vetmja armë mbrojtësi që kemi. Virusi është mes jush, ju bëni hapin për t’u mbrojtur. Ju bëni hapi që të kujdeseni sa më shumë, në të kundërtën në Shqipëri do të kemi një numër të shtuar të personave. Virusi nuk ka më përzgjedhje, jo vetëm mosha të treta. Janë moshat e reja që e çojnë tek të tjerët duke e çuar te moshat e treta. Kini në vëmendje se ky virus është shumë tepër mes jush tani që u hoqën dhe barrierat, pra vendi është i hapur”, tha Çomo.

Ditën e djeshme, vendi ynë regjistroi 82 raste të reja, ku u shënua edhe një viktimë duke e çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me këtë virus në 37. Shqetësuese është fakti që virusi ka regjistruar vatra të mëdha dhe të rrezikshme dhe brenda QSUT-së, ku 6 reparte janë të prekura, e ndërsa është zgjeruar edhe harta e qyteteve të prekura.