Samiti BE-Kinë, i parashikuar në shtator në Lajpcig, në Gjermani, do të shtyhet për shkak të krizës së koronavirusit të ri, njoftoi sot Berlini. “Kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti kinez, Xi Jinping dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kanë vendosur, me një marrëveshje të përbashkët, që duke marrë parasysh situatën e përgjithshme të pandemisë, takimi nuk mund të zhvillohet në datën e parashikuar”, njoftoi zëdhënësi i qeverisë gjermane në një komunikatë.
“Si pasojë, ky samit i parashikuar fillimisht për t’u zhvilluar më 14 shtator në Gjermani, që do të ketë në atë kohë presidencën e radhës të takimeve të BE-së, do të shtyhet”, shtoi ai. BE-ja dhe Kina kishin shtyrë tashmë në mes të muajit mars një samit të parashikuar në Pekin në fund të marsit për shkak të epidemisë së koronavirusit. Këto dy samite kishin për objektiv zhvillimin e një partneriteti strategjik në 2020 dhe për të promovuar më tej tregtinë e lirë midis dy rajoneve.