Nga Ilir Beqja*
Situata e pandemisë së COVID-19 duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të shohim se çfarë duhet përmirësuar edhe nën optikën e pandemisë. Janë gjëra që as kishim menduar se do të ndodhnin, qoftë për mirë e qoftë për keq.
Përmbledhtazi, unë do të vlerësoja se operatorët e komunikimeve elektronike ia dolën të mbështesin shoqërinë tonë, ekonominë, familjet, individët, ofruesit e shërbimeve publike. Është ende shpejt për të vlerësuar se sa mirë ia dolën, por të paktën nuk ka rezultuar të ketë krijuar vështirësi shtesë. Kështu që besoj se operatorët, sidomos punonjësit e këtyre operatorëve, meritojnë një falenderim të veçantë publik.
Megjithatë duhet të shohim nga e ardhmja. Po rendis disa shqetësime me kërkesën për kolegët se çfarë prej këtyre shqetësimeve mund të bëhen pjesë e rezolutës që do të paraqesim për miratim në seancë plenare.Në vitet e fundit kemi disa ngjarje jo fort të këndshme sipas meje.PLUS nuk është më.ABCOM u thith nga Vodafone Albania.Telekom Albania kaloi nga Deutche Telekom tek disa investitorë më pak të njohur.
Nëse kërkesa për telekomunikacion do të vijë në rritje pse po pakësohen operatorët? A rrezikohemi të kemi cilësi më të ulët dhe çmime më të shtrenjta? Meqë jemi te kërkesa për telekomunikacion. Dua të ndaj me kolegët një propozim që e kam bërë publik edhe para pak javësh. i kemi ende borxhe shqiptarëve në plotësimin 100 % të nevojave jetike bazë, uji i pijshëm, energji elektrike, administrim mbeturinash të ngurta dhe ujra të zeza e të përdorura. Pandemia na evidentoi se edhe qasja në internet është një nevojë bazë. Le t’ia garantojmë çdo familje shqiptare. Prej botës digjitale të mos krijojmë ndarje të reja në shoqëri. Së pari qasjen në internet. Sipas strukturës familjare, por edhe sipas të ardhurave. Së dyti, edhe pajisjen smart për lundrimin në internet ashtu siç garantuam para tre vitesh dekoderin për sinjalin digjital të trasmetuesve televizivë.
Për nevoja të administrimit të biznesit të tyre, operatorët e komunikimeve elektronike grumbullojnë shumë të dhëna. Gjatë pandemisë, në disa vende europiane operatorët e telefonisë mobile, bazuar në të dhëna të agreguara dhe anonime bashkëpunuan me autoritetet shëndetësore për t’i paraprirë përhapjes së virusit. “Gërmimi” dhe “nxjerrja” e të dhënave (data mining) mund të ofrojë njohuri të çmuara për vendimmarrjen e autoriteteve publike lidhur me flukset e lëvizjes së njerëzve në larmi fushash, qoftë në infrastrukturë të transportiti rrugor, qoftë në infrastrukturë mjedisesh shkollore, qoftë në nevojën e mjediseve shplodhëse. Dikur duhet të numuronim makinat për të kuptuar ngarkesën le të themi tek një rrethrrotullim në orare të ndryshme, ndërsa sot (meqë pothuajse të gjithë kanë një aparat telefoni celular) mjaftojnë të dhënat e agreguara dhe anonime 24/7 të sinjalizuara në antenën më të afërt të operatorit cellular me rrethrrotullimin që analizohet. Ose, sot është shumë më e lehtë për të parashikuar nevojën për shërbime bazë në plazhet e Ranës së Hedhun, Karaburunit apo Kakomesë bazuar në sa aparate celularë janë të sinjalizuar në anetenat përkatëse të operatorëve celularë. Përmbledhtazi, eksperienca e kësaj pandemie mund të ndriçojë autoritetet publike të përdorin më gjerësisht edhe këtë oportunitet digjital, më bën të mendoj për të provuar nëse mund të vendosim një marrdhënie afatgjatë me operatorët celularë për mbledhur sistematikisht të dhëna anonime dhe të agreguara. Ashtu siç mund edhe të tentojmë të identifikojmë, gjithmonë në mënyrë anonime, ato raste kur një aparat celular sinjalizohet që po përdoret dhe kalon nga zona e mbulimittë një antebne në një tjetër me një shpejtësi që mund të arrihet vetëm me automjet.
Ka një ndjeshmëri të shtuar në publik për teknollogjinë 5G. Qoftë për arsye të sigurisë kombëtare, por edhe qoftë për arsye të shëndetit publik. Duhet të jemi të vëmëndshëm për të komunikuar sa më qartë me publikun. AKEP duhet të shtojë bashkëpunimin me Komitetin Kombëtar të Rrezatimit për të eleminuar frikën që mund të mbillet tek njerëzit nga lëvizje anti-teknollogji.
AKEP duhet të shtojë bashkëpunimin edhe me AMA. Është e vërtetë se komunikimi nëpërmjet internetit në vetvehte as nuk nuk e cënon lirinë e fjalës, as nuk shpërdoron të drejtën për lirinë e fjalës. Por mbi internet funksionojnë platformat si Facebook, Instagram, etj. Një lajm i rremë, një foto apo video e manipuluar, një kërcënim apo fyerje, qoftë nga një përdorues i vërtetë qoftë një profil i rremë me shumë lehtësi mund të çorodisë apo turbullojë mendjen e miliona njerzve me një klik të vetëm. Ashtu si një çisternë nafte e cila kur shpërthen ndot të gjithë detin. Janë dukuri të reja edhe në botë, por pandemia na tregoi, veç të tjerash, se duhet t’i qajmë vetë hallet tona.
Ne nuk i ndalojmë makinat të ecin në rrugë meqë ndodhin aksidente. Apo nëse e kemi shpejtësinë maksimale të lejuar në rrugët tona 110 km, nuk e ndalojmë importin e automjeteve me shpejtësi më të madhe. Nëpër rrugë e gëzojmë të drejtën tonë për lëvizur, por sjelljen në rrugë e kemi të rregulluar me një kod rrugor, pastaj kemi edhe sigurim të detyrueshëm për dëme ndaj palëve të treta, pastaj kemi edhe polici rrugore, pastaj kemi sinjalistikë rrugore vertikale e horizontale, etj, etj. Të drejtën për të lëvizur e kemi të trashëguar edhe nga evolucioni darvinian, por me automjete në rrugë vetëm 120 vite kemi e gëzojmë këtë të drejtë. Pse i kemi të gjitha këto? Për të bashkëjetuar sa më paqtë. Po e drejta për fjalën e lirë dhe për t’u informuar a duhet të gëzohen në mënyrë sa më të paqtë. Edhe në kushtet e një infrastrukture të re të përhapjes së fjalës. Është koha për të reflektuar thellë.
Flitet shumë për privatësinë. Po çfarë garancie ka secili prej nesh që pyetjet që bëjmë në Google, like dhe share që bëjmë në Facebook nuk përdoren për të krijuar profilin konsumator të secilit prej nesh dhe më tej të na “bombardojnë” me informacione tregëtare! Çfarë garancie ka secili prej nesh që përgjigja e një kërkimi në Google nuk është e manipuluar! Mund të thuhet ç’hyn interneti këtu? Nëpëmjet internetit ndodh e gjithë kjo.
Nëpërmjet internetit, platforma të ndryshme botërore si Airbnb, Amazon, Facebook, Google, etj edhe gjatë pandemisë vazhduan të pasurohen vrullshëm. Edhe nga shqiptarët. Qoftë si prodhues të dhënash, qoftë si konsumatorë të dhënash. Asnjë taksë nuk paguhet këtu. Ç’ hyn AKEP këtu? Po të paktën volumin e datave që transferohen në këto të dhëna mund ta masë. A mund të përdoret volumi të dhënave si një metrikë për modelin e taksimit? Anjëherë nuk i dihet.Do të ftoja edhe drejtuesin e AKEP të bëhej pjesë e këtij diskutimi i cili pa dyshim nuk shteron sot, për të vendosur bashkërisht se çfarë mund të përfshijmë në projektrezolutë që do të përcjellim për diskutim dhe miratim në seancë.
*Fjala në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese gjatë debatit për aktivitetin vjetor të AKEP për vitin 2019.