Zyra për shtyp e FSHF-së ka njoftuar dje për fundimin e procesit të licencimeve për ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane për edicionin 2020-2021.Me një komunikatë fare të shkurtër, institucioni i futbollit në vend ka zyrtarizuar praktikën e radhës për turp që ndjek në organizimin e garave futbollistike në vend.
Njoftimi – Në pak rreshta, FSHF tregon se çfarë po ndodh me ekipet shqiptare që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Europë. “Ka përfunduar ditën e sotme (dje) procesi i licencimeve për klubet kandidate për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s në sezonin 2020-2021. Komisioni i Licencimit të klubeve, pasi ka shqyrtuar në detaje të gjitha dosjet e skuadrave të meshkujve dhe femrave, ka marrë vendimet përfundimtare të cilat u janë komunikuar klubeve kandidate.Klubeve u është kërkuar të mos bëjnë publike vendimin e marrë nga komisioni në mënyrë që vendimi të mos ndikojë në garë. Pas përfundimit të kompeticioneve, Federata Shqiptare e Futbollit do të informojë grupet e interesit dhe opinionin publik mbi skuadrat që janë licencuar dhe ato klube që nuk kanë plotësuar kriteret e licencimit e i është refuzuar aplikimi.
Risia e këtij viti në procesin e licencimit është se janë përfshirë dhe skuadrat e Vllaznisë dhe Apolonisë nga futbolli i femrave. Shqipëria do të përfaqësohet sezonin e ardhshëm në ‘UEFA Champions League’, ‘UEFA Europa League’, ‘UEFA Women’s Champions League’ dhe ‘UEFA Youth League’ me 6 skuadra”, ka njoftuar dje FSHF.Turpi i FSHF-së – Ky është një skandal i Federatës Shqiptare të Futbollit. Teksa Kosovën e merr shpesh si shembull për ballafaqimin me vendimet e qeverisë, ky institucion nuk krahasohet dot as me standardet e FFKsë, e cila pak ditë më parë ka bërë publik çdo verdikt në lidhje me licencimet. Pra, FSHF i njofton klubet dhe u mbyll atyre gojën që të mos flasin. Por, çfarë gare po ruan FSHF kur vetë aktorëve ua ka thënë nëse janë licencuar apo jo? Pretendimi për të ruajtur garën nga FSHF do të qëndronte vetëm nëse asnjë nga klubet nuk do të kishte ide për rezultatet e procesit. Kësisoj, kjo është vetëm një mungesë totale e korrektësisë ndaj tifozëve dhe opinionit publik. Praktikë e ndjekur vetëm nga FSHF dhe turp i institucionit. (Panorama Sport)