Në Sukth të qarkut Durrës, Elsoni dhe Oltioni janë dy nga prodhuesit më të mëdhenj në vend të fidanishteve të hardhisë së rrushit.
Falë mbështetjes nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ata janë pajisur me mekanikë të re bujqësore që ua ka bërë më të lehtë procesin e prodhimit të rrënjëve të hardhive të rrushit.
Kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje historinë e tyre, theksoi se “deri më 19 qershor, duke aplikuar online në https://e-albania.al me zero dokumente, përfitoni financime nga Skema Kombëtare, për një të ardhme më të sigurt të fermerit shqiptar”.
Frida Krifca, drejtoresha e AZHBR-së që ka vizituar këtë sipërmarrje tha se “si drejtoreshë e kësaj agjencie me duhet shpeshherë të shpjegoj se përse programi IPARD është jo i pamundur për fermerët shqiptarë, pse kemi 124 kontrata sot, nga fermeri më i vogël që ka hedhur 10 mijë euro investim, deri në 2 milionë euro investim”.
“Kemi pasur rreth 2 mijë fermerë të mbështetur me buxhetin e shtetit për masa të ndryshme që i duhen fermës, mbjelljet, që nga sistemi i ujitjes, teknikat e ndryshme të mekanizimit të fermave të vreshtarive. Në programin IPARD kemi 14 projekte që janë ose për ndërtim vreshtarish të mëdha, ose për kantina për përpunimin e mëtejshëm të rrushit që shkon për prodhimin e verës apo pijeve të tjera. Veç 2 mijë fermerëve që janë mbështetur me vreshtarinë për prodhimin kemi rreth 1600 ha vresht që është mbështetur nga AZHBR nëpërmjet këtyre projekteve”, – theksoi Krifca.
Ajo bëri të ditur se “aplikimet për Skemën Kombëtare i çelëm në 29 maj dhe deri tani kemi mbi 5 mijë aplikime. Nuk duhen nënvlerësuar në asnjë moment fermerët dhe dëshira e tyre për të përqafuar të renë dhe mënyrat e reja të përthithjes së shërbimeve. Vitin e kaluar në ditën e parë kemi patur 700 aplikime, ndërsa këtë vit ditën e parë kemi pasur 4500 aplikime”.
Elsoni dhe Oltioni u shprehën se “ne kemi që në 2002 që merremi me prodhimin e vreshtave. Duke dëgjuar për skemën e IPARD morëm iniciativën për të bërë letrat, dolëm fitues të kësaj skeme, morëm mjetet bujqësore dhe agregatët. Kemi bërë një investim prej 50 mijë euro, ndërkohë qe ne jemi subvencionuar me rreth 39 milionë lekë të vjetra. Jemi shumë të kënaqur”.
“Më parë punën e bënim me mjete me qira, ndërsa tani është ulur forca punëtore. Kemi filluar prodhimin në 2006. Jemi dy nga prodhuesit më të mëdhenj të fidanëve në Shqipëri. Pjesa më e madhe shkon në kantina dhe individë”, – thanë ata.