Nga Alfred Peza
Lulzim Basha përmes një spoti për ato që pretendon të ketë bërë për Shqipërinë në të shkuarën, nuk ka provokuar thjeshtë reagimet e shumëkujt për manipulimin e të vërtetës, por thjeshtë po kërkon që të na tregojë se çfarë lideri dëshiron që të jetë në të vërtetë. Jo vetëm për nesër, kur beson se do të bëhet kryeministër i Shqipërisë, por edhe sot kur është thjeshtë kryetar i PD. Oponencën më të mirë Lulzim Bashës për spotin ia kanë bërë të vetët. Opozitarët e sotëm dhe bashkëudhëtarët e tij të djeshëm, në anijen e qeverisjes përgjatë viteve 2005- 2013. Ja ka bërë Jozefina Topalli, e cila ka qenë Nr. 2 i padiskutueshëm atëherë i mazhorancës së qeverisur nga Sali Berisha. “Ky dështak manipulator si Enver Hoxha”,- shkruan ajo në rrjetet sociale, duke e shoqëruar postimin, me një foto të diktatorit.
“Ky paska bërë NATO-n, liberalizimin e vizave, ky paska sjell Bushin në Shqipëri… Ky ka bërë TAP-in; Ky marrëveshtjen e Stabilizim Asocimit, ky do ketë themelu edhe Partinë Demokratike; edhe në 97’ ky do e ketë ringritur nga hiri… Kryeministri i kohës paska qenë në gjumë gjithë kohën, kurse (ne) të tjerët paskemi qenë në planet tjetër…”- shkruan ajo. Nuk besoj se makina e tij e propogandës, po rreket që ta manipulojë kaq trashë, historinë e vetëm 7 viteve më parë. Sepse për fatin e mirë, të gjithë janë gjallë dhe memoria, është shumë e freskët. Më shumë sesa një qasje kaq banale, për ta vendosur veten në qendër të një epoke që ishte e Sali Berishës, spoti na tregon diçka krejt tjetër.
Spoti tregon përmes imazheve, dëshirat dhe ëndrrat që fshihen thellë në nënkoshiencën e Lulzim Bashës, për mënyrën sesi ai e sheh veten në skenën politike shqiptare. Sporti na tregon qartësisht se Lulzim Basha, e do lidershipin e vet në krye të Partisë Demokratike, pa Sali Berishën nëpër këmbë. Sporti na tregon se Lulzim Basha, e do lidershipin e vet në krye të opozitës, pa figurën e Sali Berishës të cilin të gjithë të djathtët e konsiderojnë “lideri historik” dhe kryetarin “de facto” të saj. Spoti na tregon se Lulzim Basha e do lidershipin e vet në skenën e madhe të së djathtës, pa “të majtët” Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi rreth e rrotull, siç edhe kanë qenë në bashkëqeverisje me PD në vitet 2009-2013.
Spoti na tregon se Lulzim Basha e do lidershipin e vet në politikën shqiptare, pa Jozefina Topallin. Pa Astrit Patozin. Pa Sokol Olldashin. Pa Ridvan Boden. Pa Arben Imamin. Pa Genc Rulin. Pa të gjithë ato figura të tjera kryesore të PD, që mbajtën peshën kryesore të mazhorancës që realizoi arritjet të cilat ai sot, kërkon që ti grabisë e ti paraqesi vetëm si të vetat. Spoti thjeshtë na tregon një Lulzim Bashë, siç ai dëshiron që të jetë sot, në opozitë. Spoti na tregon një Lulzim Bashë, siç ai dëshiron që të jetë nesër, kur të jetë në qeveri. Spoti na tregon një Lulzim Bashë, që as ka qenë, as është, e as ka për të qenë ndonjëherë. Kurrë! Sepse lider nuk lind, por bëhesh. Jo përmes spotesh. Por përmes luftrash reale politike, të cilat Lulzim Basha as nuk i bëri, e as nuk ka për ti fituar kurrë!